Pep Guardiola do jetë penduar, por tashmë i përket së shkuarës dhe nëse te Siti do të duan ta rikthejnë Xhejdon Sançon, atëherë shifra që do shpenzojnë do të jetë shumë e madhe. Mesfushori, i cili pas pak ditësh, konkretisht më 25 mars, mbush 19 vjeç, po bën një sezon super te Borusia e Dortmundit.
Tetë golat e shënuar, si dhe asistent e dhëna, e bëjnë anglezin një nga më të kërkuarit në merkato. Në Angli emri i tij së fundmi është lidhur me Mançester Junajtid. Gjiganti anglez kërkon të përforcohet dhe sipas “Dailu Mirror” është gati të paguajë një shifër të çmendur për Sançon.
Plot 117 milionë euro thuhet se do të ofrohen për Dortmundin, që duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me të riun. Nëse vazhdon me këto ritme, çmimi i tij do të rritet edhe më shumë, ndaj gjermanët do tentojnë të marrin vendimin e duhur. Mançesteri nga ana tjetër ka edhe planin B: Hudson-Odoi, futbollisti i Çelsit që ka goxha ngjashmëri me Sançon dhe kushton disa herë më pak.