E ardhmja e Sokol Cikalleshit është ende mister, duke qenë ende në korrik dhe duke ditur synimet e sulmuesit tonë, i cili dëshiron të luajë rregullisht.
Megjithatë, për momentin Cikalleshi është në Stamboll dhe ka nisur fazën përgatitore me Istanbul Bashakshehirin.
Klubi kryeqytetas i shkoi pranë titullit sezonin e shkuar dhe tashmë po mendohet për të ardhmen e Cikalleshit, çmimi i të cilit është rritur ndjeshëm, pas muajve të shkëlqyer te Akisari.
Dje Bashakshehiri luajti miqësoren e parë parasezonale, duke mundur 4-1 me përmbysje Triglavin slloven.
Cikalleshi shënoi golin e katërt të skuadrës së tij, në minutën e 83-të, duke treguar se është që tani në superformë, por sulmi i Bashakshehirit është i mbipopulluar, ndaj deri në gusht priten zhvillime.