Jyrgen Klop dhe djemtë e tij do të bëjnë të pamundurën për të fituar Champions Ligën sivjet. Përballë do të jetë Totenhemi i Poçetinos në finalen e madhe të Madridit. Dueli për trofeun prestigjioz zhvillohet me datë 1 qershor, ndërsa pas 5 ditësh Anglia do të luajë me Holandën gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve.
Gjermani është një person origjinal dhe i çiltër, i cili thotë gjithmonë atë që mendon. Trajneri i “The Reds” nuk i kursen kritikat ndaj UEFA-s për kalendarin e ngjeshur, iu del në krah tifozëve të Liverpulit e Totenhemit dhe nuk arrin ta kuptojë se pse finalja e Ligës së Europës do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.
“Me 1 qershor luajmë finalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa me 6 qershor zhvillohet një turne i mrekullueshëm i quajtur Liga e Kombeve. Të gjithë u habitën me mua kur thashë që ky kompeticion nuk është një ide e mirë. Tani, surprizë, dy ekipe angleze janë në finalen e Ligës së Kampioneve.
Kështu po vrasim futbollin. Trajneri i Anglisë nuk ka faj. Të planifikosh një gjë të tillë dhe të surprizohesh nga fakti që 4 skuadra angleze luajnë në finalet europiane… ky është një plan interesant.
Agjencitë e udhëtimit dhe hotelet nuk janë budallenj. Madridi është i shtrenjtë dhe ky është një problem për tifozët, por të paktën finalja nuk do të zhvillohet në anën tjetër të botës.
Zhvillimi i finales së Ligës së Europës në Baku më duket një vendim i çuditshëm. Nuk e kuptoj se çfarë hanë në mëngjes organizatorët kur i marrin këto vendime. Madridi duhet të përgatitet për 200 mijë anglezë. Qytetet e finaleve duhet t’i ulin pak çmimet. Le të kushtojë dhoma 100 sterlina, por jo 2700! Jam gjithmonë në anën e tifozëve“, përfundon trajneri gjerman i Liverpulit.