Çështja Musolli, “shigjeta” për Duron dhe akuza për Pakult: show i Safet Gjicit

Gjithmonë mediatik. Përherë me deklarata pikante, për rivalët apo ish-bashkëpunëtorët. Asnjëherë i parashikueshëm. Edhe tani, presidenti i Kukësit, Safet Gjici respektoi parashikimet dhe nuk i kurseu batutat apo “shigjetat”. Në programin “Zona Gol” në “SuperSport”, drejtuesi i klubit verilindor preku të gjitha çështjet: duke nisur nga problematikat e mëdha të këtij sezoni, ndërsa foli edhe për çështjen “Musolli”, ku paraqiti një tjetër version, nga ai që njihej deri më tani dhe që kishte lidhje me pagat.

“Jemi në rrugën e duhur, përpos faktit që nuk luajmë dot në fushën tonë në Kukës. Ky është një penalizim. Nëse do të luanim në shtëpinë tonë, do të ishim pa diskutim të parët dhe me një diferencë të konsiderueshme nga Partizanit, që aktualisht kryeson. Një tjetër çështje janë dëmtimet, si këtë vit nuk na ka ndodhur asnjëherë, duke nisur nga Musolli, i cili do të jetë lojtar i Kukësit, deri sa të largohet nga futbolli. E takova lojtarin fillimisht dhe ai më kërkoi që ndoshta të qëndronte në Kosovë për tu rikuperuar. Musollin kurrsesi nuk mund ta largojmë, pasi ai ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm, prej shtatë vitesh”.

“Zërat për kontradikta? Dashakeqësi, të cilat thuhen gjithmonë, por Kukësi vazhdon përpara. Ndoshta ishte një keqkuptim i Musollit, sepse asnjëherë nuk i kam thënë që duhej të ikte. Ai do të qëndrojë deri në fund të karrierës me Kukësin. Klubi ka detyrim, që ti paguajë të gjitha shpenzimet një lojtari që dëmtohet dhe ketë e kemi bërë. Lojtari kërkoi të shkonte afër shtëpisë së vetë në Kosovë, ndoshta të gjente një ekip për të bërë rehabilitimin e plotë, i cili shkon deri në katër muaj”.

“Premio për fitoren ndaj Skënderbeut? Ju gazetarët këtë punë keni, para ndeshjes e pas ndeshjes veç pyesni a do ketë premio. Ja ku po ju them që do e lëshoj dorën në premio, sepse do fitojmë ndaj Partizanit javën e ardhshme

“Fitorja me Skënderbeun? Më ka shijuar shumë, sepse me presidentin e Korçës ndihem shumë i qetë kur kemi ndeshje. Më ka munguar kohët e fundit, sepse jemi mësuar të bëjmë disa replika brenda kornizave të futbollit. Jemi konkurrentë, por edhe miq me njëri-tjetrin. Uroj që Skënderbeu dhe presidenti Takaj të kalojnë problemet që kanë pasur. Uroj që Skënderbeu, por edhe asnjë ekip tjetër shqiptar, të mos dënohet. Skënderbeu dhe Kukësi i kanë dhënë tonus kampionatit në vitet e fundit, ndërsa ato skuadra që kanë qenë të mëdha tashmë nuk janë aty ku duhet, siç është rasti i Tiranës, për të cilën më vjen keq”.

Për çështjen e trajnerëve të shumtë që ka ndryshuar gjatë këtyre viteve, presidenti Gjici nuk kurseu “shigjetimet” për ish-trajnerin Klodian Duro, ndërsa lëshoi akuza për trajnerin Pakult, i cili shpenzoi në merkato mbi 700,000 euro të përfituara nga shitja e Sindrit Gurit, duke afruar një numër të panevojshëm futbollistësh në ekip.

“Edhe pse kemi hequr trajnerë dhe kemi marrë trajnerë, bilancin e kemi të mirë. Jemi lodhur disi, jemi stresuar, sepse kemi marrë edhe teknikë pa eksperiencë. Kur mora një trajner me zero CV, të gjithë thoshin si e mori Gjici, por ai fitoi një Kupë te Kukësi. Tani edhe trajnerët e rinj te Teuta dhe te Skënderbeu po bëjnë mirë. Aktualisht Teuta me trajnerin që ka po paraqitet shumë mirë dhe është një prej skuadrave rivale. Është mirë që kampionati nuk është garë vetëm mes dy ekipeve, por mes 3-4 skuadrave që pretendojnë”.

“Me paratë e përfituara nga Sindrit Gurit, trajneri që ishte, Pakult, mori 14 lojtarë të cilët luajnë. Shpenzimet klubi i ka bërë. Por, nuk i merr presidenti lojtarët, sepse nuk e di unë kush është i mirë dhe cili jo. Ka një procedurë në përzgjedhje. Pakult afroi 14 lojtarë, kur në fakt na nevojiteshin 5-6 futbollistë. Ia plotësova kërkesën, sepse trajneri tha se me këto blerje do të arrinim fazën e grupeve, por në fakt kaluam vetëm një tur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *