Te skuadra e Çelsit po bëhen gati për të filluar negociatat për kartonin e talentit të Borusias së Dortmundit, Kristian Pulisiç. Lajmi bëhet i ditur nga media e njohur angleze “The Guardian” Amerikani konsiderohet si një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm dhe interesi për të është i madh.
Situata e 20-vjeçarit te Dortmundi nuk po ecën dhe aq mirë dhe kjo falë daljes në skenë të një tjetër të riu premtues si anglezi Xhejdon Sanço, i cili ka fituar garën me amerikanin për një vend në formacionin titullar të skuadrës që drejtohet nga Lysien Favre.
Në të shkuarën Pulisiç e ka deklaruar shumë herë se ëndrra e tij është të luajë në kampionatin anglez dhe një lëvizje te Çelsi do të ishte hapi logjik i radhës në karrierën e lojtarit. Pozicioni i preferuar i 20-vjeçarit është ai i sulmuesit të krahut djathtë, ku te “blutë e Londrës” aktualisht luajnë Pedro dhe Uillian, të dy këta lojtarë që i kanë kaluar të 30-at.