Çelsi dhe mallkimi i janarit, 137.1 milionë euro për “dështime”

0

Çelsi është një ndër klubet që njihet për potencial ekonomik dhe për shpenzimet e shumta që kryejnë në merkato. Brenda pak ditëve do të hapet zyrtarisht afati kalimtar i janarit, që sipas traditës për blutë e Londrës ka sjellë në ekip vetëm dështime.

Shumë para të shpenzuara, por lojtarët e ardhur thuajse nuk kanë lënë asnjë gjurmë në “Stamford Bridge”. Disa prej tyre sot shkëlqejnë diku tjetër, por te Çelsi nuk kanë arritur për asnjë moment të japin më të mirën e tyre dhe të marrin përdore londinezët.

Që nga viti 2013 deri në momentin që po flasim, klubi i Roman Abramoviç ka shpenzuar plot 137.1 milionë euro, për të afruar te Çelsi në merkaton e janarit, lojtarë, të cilët kanë zhgënjyer me paraqitjet e tyre, por ka dhe nga ata që ndoshta sot janë zhdukur si futbollistë dhe ndoshta nuk luajnë më futboll.

Pikërisht e nisim me këtë të fundit. Janarin e vitit 2013, Çelsi shpenzonte 5.4 milionë euro për të afruar brazilianin Uollas, nga ekipi i Fluminenses. Një mbrojtës, i cili shihej si një talent i së ardhmes, por sot në moshën 24-vjeçari, Uollas është pa ekip. Për të vijuar me Mat Miazga dhe Mario Pasaliç, respektivisht 4.6 dhe 2.5 milionë euro. Të dy lojtarët nuk arritën asnjëherë të ishin protagonistë me fanellën e bluve.

Demba Ba u ble nga Njukasëll Junajtid dhe shihej si një përforcim i rëndësishëm, ku u shpenzuan 8.5 milionë euro, por historia ishte e njëjtë, një dështim. Për të vijuar me “peshat e rënda”, të cilët janë blerë për shifra më të larta se të lartpërmendurit.
Mohamed Salah u mor me bujë nga Baseli për 16.5 milionë euro, por hapësirat e egjiptianit ishin të pakta. Sot të gjithë e dinë se çfarë po bën “faraoni” me fanellën e Liverpulit. Kurt Zuma, u mor nga Sant Etieni për 14.6 milionë euro, por vijon të jetë në huazim vit pas viti. Aktualisht, tek Evertoni.
Huan Kuadrado është transferimi më i shtrenjtë i janarit që nga 2013, i cili ka dështuar. Kolumbiani u mor me bujë nga Fiorentina për plot 31 milionë euro, por nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në Londër dhe u largua te Juventusit për 20 milionë euro.
Janarin e shkuar, blutë morën lojtarë si Ros Barklej dhe Olivier Zhiru, secili nga 17 milionë euro. Të dy lojtarët nuk kanë arritur të japin më të mirën. Ndoshta Barklej këtë sezon me Sarrin ka shfaqur disa shenja jete, por përsëri jo aty ku duhet. Për ta mbyllur, Emerson Palmieri, nga Roma në drejtim të Çelsit, plot 20 milionë euro. Sezoni aktual, 0 ndeshje në Premier Ligë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.