CAS i dha një goditje të rëndë Skënderbeut, që duhet të vazhdojë të vuajë dënimin e UEFA-s me 10 vite përjashtim nga kompeticionet evropiane, si dhe të derdhë në arkat e qeverisë evropiane të futbollit 1 milion euro. Një dënim revolucionar që i hap rrugë dënimit të klubeve, në rastet kur do të ketë lëvizje të dyshimta të kuotave të basteve. I gjithë ai investim për BFDS (Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve) po merr frytet e veta.
Në kampin korçar nga ana tjetër janë të zhgënjyer për vendimin e marrë. Prej muajsh e kishin “pompuar” ambientin me optimizëm, por në fund CAS ua hodhi poshtë kërkesën. Tashmë ka vetëm një rrugë, të shkojnë në Gjykatën Federale në Zvicër. Kjo është shkalla e fundit gjyqësore dhe te Skënderbeu po e mendojnë ta vazhdojnë betejën ligjore. Gjithsesi fillimisht duhet të marrin veten nga kjo goditje.
Klubi ende nuk ka dalë me një deklaratë, ku të qartësojë të ardhmen. Normalisht tifozët në Korçë janë të shqetësuar për situatën në klubin e tyre të zemrës. Futbollistët janë në ajër, ndërkohë që shumë klube dëshirojnë disa prej tyre. Sigurisht do të duhet të paguajnë për ata që janë nën kontrata. Skënderbeu i ardhshëm nuk dihet çfarë “fytyre” do të ketë dhe enigmat janë të shumta.