Milionat dhe trofeu i Kategorisë së Parë janë të Bylisit. Ballshiotët ia kanë dalë të mundin Vllazninë me rezultatin 1-3, madje kjo ka ndodhur me përmbysje. Shkodranët shënuan të parët me anë të mbrojtësit rumun Dan Ignat.
Reagimi i Bylisit ishte i menjëhershëm. Skuadra e drejtuar nga Dovedan iu afrua golit në disa raste, madje goditi edhe tranversën me anë të Jankut. Gjithsesi Vllaznia e ruajti epërsinë në pjesën e parë dhe shkoi në pushim e qetë.
Bylisi ishte më këmbëngulës dhe u shpërblye në fillimin e fraksionit të dytë të lojës. I zakonshmi Antoni Bej arriti t mposhte portierin Selimaj dhe të vendoste baraspeshën menjëherë. Ballshiotët nuk i ndalën sulmet dhe arritën të përmbysnin me anë të mesfushorit Marjo Bajramaj.
Ky i fundit pati një dëmtim dhe dhjetë minuta para përfundimit të kohës së rregullt u largua nga fusha dhe i la vend mesfushorit Serxho Ujka. Ish-futbollisti i Laçit për tre minuta arriti të shënonte në portën e Vllaznisë dhe vulosi fitoren e Bylisit, që shpallet kampion i Kategorisë së Parë dhe përfiton 30 milionë lekë të vjetra. Në fund pati një zënkë mes Gurishtës dhe Zefit, të dy të ndëshkuar me kartonë të kuq.
FINALJA E KATEGORISË SË PARË
E enjte, më 23 maj 2019, ora 16:00
VLLAZNIA-BYLIS 1-3
Shënues: Ignat 17’ / Antoni 48’, Bajramaj 61’, Ujka 83’
Vllaznia: Selimaj, Zeqaj (Zogaj 62’), Ignat, Malota, Gurishta, Krymi (Hajdari 74’), Tafili, Gocaj (Marku 60’), Lika, Kruja, Zhunior. Trajner: Agim Canaj
Bylisi: Bytyçi, Franklin (Ymeraliaj 84’), Janku, Samda, Peposhi, Murataj, Barjamaj (Ujka 80’), Zefi, Lamçja (Kullira 94’), Anthoni, Guindo. Trajner: Veljke Dovedan
Karton të verdhë: Malota 88’ / Kullira 92’
Kartonë të kuq: Gurishta 90’ / Zefi 90’