“Duke qenë se është konferenca e fundit për këtë vit, do uroja të gjithë tifozët tanë dhe ata shqiptarë, gëzuar festat e fundvitit dhe uroj një vit sa më të mbarë”. Kështu e nisi Ilir Daja konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes me Tiranën, ndërkohë që më pas analizoi kundërshtarin e radhës.
“Është një ndeshje e vështirë për shumë arsye, pasi lojtarët janë jo 100% të motivuar. Kjo në raport me Tiranën nuk është njësoj, pasi ata janë në një pozicion që kërkojnë të ngrihen. Por edhe ne e duam diçka të tillë, pavarësisht se vijmë nga dy fitore radhazi. Kemi përballë një kundërshtar si Tirana, që pikët e marra nuk tregojnë nivelin e tyre. Ata kanë prodhuar lojë dhe nuk nisemi nga pozicioni që kanë në tabelë. Do e vlerësojmë maksimalisht, pasi janë klubi më i titulluar në vend. Me aq sa kam mundur ta ndjek, besoj se Tirana meriton më shumë nga sa ka në tabelën e klasifikimit. Ne vijmë pas dy fitoreve radhazi, por futbolli është i tillë që sapo mbaron një ndeshje duhet të ruash të njëjtin ritëm nëse do të shkosh drejt objektivave të vendosura”.
PËRBALLJA ME MEMËN – “Ekipet ndryshojnë nga java në javë, jo më nga një fazë. Siç e njoh unë Memën, më njeh edhe ai. Kjo nuk ka të bëjë me faktin që kemi punuar bashkë. Gjërat evoluojnë, çdo ekip ka problemet dhe armët e forta. Nuk ka rëndësi shumë njohja mes njëri-tjetrit, por leximi i lojës gjatë zhvillimit të saj”.
SITUATA NË EKIP – “Gjatë kësaj periudhe, problematika jonë ka qenë fakti që nuk e kemi pasur grupin të plotë. Shpesh lojtarët kanë sakrifikuar dhe kanë luajtur jo në gjendjen më të mirë. Jemi mësuar me këtë gjë, as nesër nuk do e kemi të plotë. Mungon Veliu, por edhe Bushiç me shumë mundësi nuk do të jetë. Ata që kemi kanë shumë eksperiencë, sidomos në sulm ku janë Alvesh, Torasa e Kale. Nëse do mbështeten mirë, atëherë do ta bëjnë më të lehtë mungesën e Bushiç”.
“Sulmi i plotë? Besoj se nuk do ta ketë Alvesh këtë pretendim, pasi në 18 javë kampionat nuk ka qenë prezent në shumë ndeshje. Por kësaj radhe nuk e plotësojmë dot, pasi Bushiç nuk mund të jetë. Sot do shihet konfirmimi. Do futemi edhe nesër ne fushë me kontingjentin jo të plotë. Kemi kohë për të qenë të gjithë bashkë. Problematika jonë kryesore ka qenë se nuk kemi qenë me ekipin e plotë. Shpresojmë të jemi në vazhdimësi, pasi jo vetëm rritet rivaliteti, por edhe shprehim potencialin tonë në fushë dhe të kënaqim tifozët me paraqitjen e bërë”.
OBJEKTIVI – “Nuk kënaqem me barazimin. Nesër, si në çdo ndeshje do të futemi për të marrë tre pikët, pavarësisht se e di që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”.