Më keq nuk kishte ku të shkonte: Partizani është mundur sot 3-1 nga Botevi në “Selman Stërmasi” dhe praktikisht është eliminuar që tani.
Starova dje deklaronte se ishte një ndeshje 50/50 dhe në përgjithësi gjithë ambienti i kuq ishte shumë optimist, ndoshta duke mos e njohur Botevin dhe duke parë që e mbylli sezonin e fundit në mesin e tabelës.
Megjithatë, në radhë të parë Partizani duhet të shohë veten, sepse largimet verore, duke nisur nga Ekuban e Torasa, nuk janë kompensuar fare. Po të shtojmë këtu edhe fatin e keq të dëmtimeve të Malotës e Krasniqit, ishte e qartë që duhej shumë kujdes e frikë.
Botevi shoqërohej nga disa dhjetëra tifozë të zjarrtë, që kishin besim dhe bënë mirë që erdhën në Tiranë, sepse në fund ikën të lumtur, ndryshe nga Guerrilsat, që bënë sa mundën, por nuk mjafton tifozeria, pasi duhet skuadër, duhet cilësi dhe pse jo, edhe një mot më i freskët, sepse në orën 17.00 është e pamundur të luhet.
Në fakt, nisi shkëlqyeshëm, sepse Xhevahir Sukaj shënoi një gol të bukur dhe u duk se Partizani kishte vënë gjithçka në rrugën e duhur.
Gabim i madh: Botevi nisi të luante futboll të shtruar dhe na “mbyti”, si i thonë popullorçe, ndaj edhe barazimi i Kosokos në minutën e 27-të ishte në ajër.
Reagimi ynë? Asgjëkundi, sepse Botevi kontrolloi lojën qetësisht, priti rastin e duhur dhe ashtu si në pjesën e parë, goditi sërish nga distanca, me yllin e vet Nedelev, që për fat të keq Botevi e mbajti këtë verë. Kosoko, sërish ai, shënoi edhe golin e tretë në fund, për faj të Atandës, ndaj praktikisht ka marrë fund.
Që të fitojë Partizani 3-1 e lart në Bullgari, do të duhet një mrekulli…
Europa League, turi i parë
Stadiumi “Selman Stërmasi”, ora 17.00
Partizani – Botev 1-3
Shënues: Sukaj 4′ / Kossoko 27′, 88′, Nedelev 60′
Partizani: Alban Hoxha, Kotobelli, Ibrahimi, Atanda, Fejzullahu, Vila (Enok74?), Batha, Trashi, Mazrekaj (Fili 63′), Progni (Bardhi 74′), Sukaj. Trajner: Sulejman Starova. Të gatshëm: Xhika, Krasniq, Ismilaj, Kalari.
Botev: Çvoroviç, Minev, Panov, Syoyanov (Marin 84′), Dimov, Genev, Brisola (Tasev 80′), Omnibes, Baltanov, Nedelev (Jusein90+2′), Kossoko. Trajner: Nikolai Kirov. Të gatshëm: Kajzer, Dimitrov, Ongilio, Apostolov.
Kartonë të verdhë: Kotobelli 45+1′, Sukaj 90+3′ / Syoyanov 26′, Baltanov 60′
Gjyqtarë: Bryn Markham-Jones Daniel Beket, Ljuis Eduards,David Morgan (Uells)