Dejvi Bregu dy ditët e fundit nuk është stërvitur me grupin dhe rrezikon të humbasë ndeshjen kundër Flamurtarit. Sulmuesi anësor është dëmtuar në ndeshjen kundër Laçit dhe ka punuar i diferencuar. Shkelja e këmbës nga një prej kundërshtarëve ka bërë që Bregu të ketë dhimbje në një prej gishtave të këmbës.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë frakturë, sikurse njoftonte klubi korçar një ditë më parë. Thjesht një gisht i nxirë, por realisht vlonjati rrezikon ta humbasë ndeshjen e nesërme me Flamurtarin.
Gjithsesi ka ende shpresa që Bregu të jetë në fushë nga minuta e parë. Sot do të shihet gjendja e tij dhe më pas do të vendoset. Po shihet mundësia që sulmuesi anësor të luajë me injeksion. Me Flamurtarin është një ndeshje e rëndësishme, që duhet kaluar me sukses.
Skënderbeu në mesjavë humbi kreun e klasifikimit, pasi i mundi Laçi në stadiumin “Selman Stërmasi”. Partizani kryesues ka vetëm dy pikë më shumë se korçarët. Takimi me Flamurtarin luhet nesër prej orës 17:00. Në të njëjtin orar të kuqtë përballen me kurbinasit në kryeqytet.