Bonuçi: Veprova në nerva e sipër, gabova që ika te Milani

Leonardo Bonuçi ka thënë fjalët e tij të para në konferencën e organizuar për të, pas rikthimit në Torino. Qendërmbrojtësi ka folur për shumë tema, duke nisur që nga tifozët, raportet me trajnerin, apo dhe arsyen e lëvizjeve në aksin Torino-Milano.

Si e shihni Juventusin një sezon larg Torinos dhe a keni një përgjigje për tifozët?
Mund të them se e pash më mirë se asnjëherë tjetër. Si na ka mësuar këto tre vite, fiton, pasi ka program, talente, lojtarë me kualitet dhe një strukturë solide dhe mjaft të organizuar. Jam shumë i lumtur që rikthehem këtu dhe mjaft i emocionuar që nis aventurën në Torino sërish, me synimin për t’u përmirësuar akoma dhe më shumë, me ndihmën e lojtarëve të mrekullueshëm që janë këtu. Më duhet që të rikuperoj kohën që nuk isha këtu, pasi vërtetë fitova diçka ndoshta nga pikëpamja njerëzore, por isha larg nga pikëpamja e sukseseve. Përgjigjet për të gjithë unë do i jap në fushën e blertë, duke sakrifikuar dhe me dëshirën për të fituar gjithçka.

Pse u larguat nga Milano dhe vendosët të riktheheshit tek Juventusi?
Sepse, më mungonte shtëpia, pas çdo udhëtimi vjen kthimi në shtëpi. Dua të falënderoj Milani, Juventusin, trajnerët dhe agjentin time që më mundësuan që sot të jem këtu. Duhet që të fokusohem, pasi kemi shumë objektiva për të arritur.

Si janë raportet tuaja me Alegrin?
Ka pasur diskutime mes nesh, por ato janë pjesë të futbollit. Ne jemi takuar më shumë se një herë këtë vit dhe kemi pasur mundësinë për të diskutuar dhe për t’u sqaruar. Marrëdhënia jonë është shumë e mirë, pasi falë njerëzve të zgjuar, ne kemi shtrënguar duart. Dua t’iu tregoj një prapaskenë: Në Londër, kur u zgjidha një 11 lojtarët më të mirë, unë ja dedikova atij atë çmim, pasi falë tij unë u përmirësova në menaxhimin e lojës. Janë gjëra që ndodhin dhe tani duhet të shohim përpara më të fokusuar.

Ju vjen keq që u larguat nga Juventusi drejt Milanit?
Vendimi për t’u larguar ishte i ndikuar dhe nga emocionet dhe në një moment nervozizmi mora një vendim të tillë. Vendimet e marra në nervozizëm e sipër nuk janë të drejta dhe jam shumë i lumtur që  që kthehem aty ku ndihem më mirë. Nuk kishte një moment të veçantë kur unë vendosa se duhet të kthehem. Ne ramë të gjithë dakord dhe të gjithë ishim të lumtur nga kjo lëvizje.

Komentet e tifozëve…
Unë i kuptoj dhe i respektoj gjithnjë tifozët. Pas çdo ndeshje ata duhet të falënderohen të parët. E përsëris, vendimi im për t’u larguar një vit më parë ishte i ndikuar shumë nga emocionet dhe asokohe nuk u ndjeva mirë që të vijoja më tek Juventusi: nuk isha në vete! Mendova se ndryshimi mund të më jepte diçka më shumë, por nuk doli siç e kisha menduar. Në këtë vend unë kam zemrën time, familjen dhe shtëpinë time. Në këtë mënyrë unë zgjodha me zemër edhe pse kisha oferta të tjera edhe në Europë. Unë do i pranoj vërshëllimat si nga kundërshtarët ashtu dhe nga tifozët e mi. Nëse ndodh, unë sërish do i përshëndes me duartrokitje.

Mos ndoshta duhet që t’u kërkoni falje?
Ndjej që duhet të përgjigjem në fushë, pasi jam profesionist. Nëse do të kem një ofertë për të lënë Juventusin, unë kurrë nuk do e bëj diçka të tillë më. Në vitet që unë kam kaluar këtu me Juventusin janë gjithçka për mua. Kam kaluar shumë peripeci dhe Juventus gjithnjë më ka mbështetur. Kur u largova, me presidentin u ndava me një përqafim, pasi zemra ime sikur e ndjeu se mund të rikthehesha. Sot fillon një sfidë e re me një tjetër klimë dhe emocione të reja. Do ta mbroj këtë fanellë siç kam bërë për 7 vite me radhë. Kur të zbres në fushë nuk do të mendoj asgjë tjetër veçse të marrim fitoren.

Festa e golit ndaj Juventusit… do festonit tani?

Epo, nuk më ndodh shpesh që të shënoj (qesh). Kur shoh lojtarët që nuk kënaqen shumë i kritikoj, pasi sipas meje, ata, në atë moment duhet që të jenë profesionistë e të bëjnë më të mirën për ngjyrat që përfaqësojnë. Mbrojtësve nuk u ndodh shpesh që të shënojnë. Tani, uroj që t’u jap tifozëve shumë gëzime, pas atij hidhërimi.

Si mendoni se do ju presin tifozët dhe kush besoni se do të jetë kapiteni në Milano tani?

Gjëja më e rëndësishme është që Juventusi ende fiton. Me atë që do të jap në fushë them se do të zgjidhet gjithçka. Kapiteni te Milani? Nuk dua të mendoj për të kaluarën, jam i përqendruar vetëm tek Juventusi.

Ndeshja juaj e fundit me Juventusin është finalja e Kardifit, do kërkoni të Championsin sërish…

Synimi ynë është që të arrijmë në finalen e Madridit, pasi ne duam të fitojmë gjithçka. Ne jemi Juventusi dhe synimet tona janë të qarta që në fillim për të gjithë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *