“Bombë” tjetër në Vlorë, Flamurtari e nis sezonin me pikë minus

“Bomba” vjen nga Vlora, si zakonisht, kur bëhet fjalë për dënime.

Flamurtari po ndërton super skuadër, por me shumë gjasa do ta nisë sezonin me penalizim në pikë. Do të ishte një turp i madh, por në Vlorë janë mësuar tashmë, nuk do të ishte hera e parë. Nga burime në Federatën Shqiptare të Futbollit, “Sport Ekspres” mëson se historia e borxheve dhe gjyqeve pa fund do t’i kushtojë shtrenjtë klubit vlonjat. Historia është e thjeshtë: ka ende disa padi për paga të prapambetura në FSHF dhe ndërkohë edhe Danilo Alvesh e ka çuar çështjen e pagave të prapambetura në FSHF, duke kërkuar prishjen e kontratës që e mban në Vlorë edhe për një sezon. Po ashtu, edhe lojtarë nga sezonet e shkuar, përfshirë lojtarët nga Kosova, si Debatik Curri, Yll Hoxha, Kushtrim Lushtaku, e të tjerë, kanë trokitur shpesh në Federatë për të gjetur drejtësi.

BORXHI NDAJ GJOKËS – Çështja që rëndon më shumë mbi Flamurtarin është çështja “Ernest Gjoka”. Borxhet e prapambetura ndaj tij, një histori e vjetër tashmë, kthehen sërish si furtunë në Vlorë, pasi të vajturit në KAS rezultoi një flluskë sapuni, siç raportoi “Sport Ekspres” para 4 ditësh.

https://sportekspres.com/nuk-ka-beteje-ne-kas-gjoka-fiton-luften-me-flamurtarin/

FSHF i kërkoi Flamurtarit të shlyente trajnerin, për borxhin prej 45 mijë eurosh të para disa viteve, por Flamurtari paralajmëroi apelin në KAS, apel që nuk u realizua, sepse nuk u krye fare, pasi askush nuk pagoi. Kush e ka fajin? Pak rëndësi ka, Sinan Idrizi, Bashkia apo Shpëtim Gjika, në Vlorë le të zihen sa të duan. Ndërkohë, Federata e kishte paralajmëruar Flamurtarin se duhej të shlyente trajnerin dhe vetëm apeli i KAS-it pritej. Nëse nuk ka apel, atëherë ligjërisht ka dredhi nga Flamurtari për të humbur kohë. Pasoja? E thjeshtë, heqje pikësh, të paktën 6 të tilla! Nëse zbatohen rregulloret, këtu ka edhe përsëritje shkeljesh, por kjo është histori tjetër dhe zor se FSHF do të shkojë deri aty sa të ndërmarrë ndonjë masë më të ashpër, me më shumë pikë apo përjashtim. Sido që të jetë, është një skandal i madh, që do të shkatërronte totalisht besueshmërinë që kërkon të ndërtojë Sinan Idrizi në Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *