Nuk ka betejë në KAS, Gjoka fiton “luftën” me Flamurtarin

0

“Odiseja” e gjyqit mes klubit vlonjat e ish-trajnerit ka përfunduar pa “krisma”. Padia në KAS nuk është marrë fare në shqyrtim, pasi Flamurtari nuk pagoi shumën e nevojshme

Jurgen Zela

Një “vrimë” në ujë, e tillë mund të quhet historia e gjyqit mes Flamurtarit e Ernest Gjokës në KAS-in e Lozanës. Klubi vlonjat paralajmëroi se do apelonte në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv kundër vendimit të FSHF-së për të shlyer pagat e prapambetura të trajnerit, por tashmë gjithçka marrë fund dhe padia është tërhequr, ose më saktë çështja nuk ka nisur fare.

HISTORIA E GJYQIT – Ka kokë që ka nisur historia e gjyqit mes Flamurtarit e Ernest Gjokës, për pagat e prapambetura nga sezoni 2013-14, aq sa është kthyer në një telenovelë. Trajneri aktual i Kukësit kërkon 45 mijë euro, për kohën kur ai ka drejtuar skuadrën vlonjate dhe ajo ishte nën administrimin e bashkisë së qytetit. Këtë çështje trajneri kryeqytetas e ka ndjekur në rrugë gjyqësore dhe gjithçka është zvarritur për arsye të ndryshme. Ish-trajneri i skuadrës vlonjate pretendon të përfitojë pagesat e pashlyera dhe është i vendosur që kësaj çështjeje t’i shkojë deri në fund. Ernest Gjoka erdhi në krye të Flamurtarit, kur president i tij ishte ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Ai arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë në atë kohë, ndërkohë që u largua në nëntor të vitit 2014, duke u zëvendësuar nga italiani Ernestino Ramela. Pretendimet e Gjokës janë për disa pagesa që kapin vlerën e 45 mijë eurove dhe që janë detyrim i klubit kuqezi dhe Bashkisë së Vlorës, pasi në atë kohë ende nuk kishte kaluar administrimi te dy kompanitë turke. Pas përfundimit të gjyqit, FSHF urdhëroi Flamurtarin të shlyente borxhin, por administratori kuqezi Sinan Idrizi nuk pranoi asnjëherë dhe paralajmëroi apelin në KAS.

APELI NË KAS – Disa javë më parë Flamurtari nisi për në KAS apelin kundër FSHF-së dhe Gjokës, duke bashkangjitur argumentimin e çështjes, por jo pagesën. Si zakonisht, kur bëhet fjalë për çështje të tilla, KAS merr shumë kohë, pasi lista e çështjeve aty është shumë e gjatë, por ditët e fundit ka ardhur përgjigja për Flamurtarin dhe Gjokën dhe ka ndodhur ajo që kishte paralajmëruar Idrizi para pak ditësh: gjyq nuk ka, pasi nuk është bërë pagesa.

MBYLLJA E ÇËSHTJES – Prej ditësh nga Vlora e kishin paralajmëruar: dosja e çuar në KAS kundër vendimit të FSHF-së kishte mbetur në “ajër”, pasi nuk ishte paguar kostoja e shpenzimeve, sipas rregullores në KAS. Sipas Idrizit, atë kosto nuk kishte pse ta merrte përsipër klubi, sepse duhej ta paguante bashkia Vlorë. Loja “e ka kush e ka” nuk mbaroi në momentin e duhur dhe askush nuk mori përsipër pagesën. Për pasojë, një zyrtar i KAS-it ka dërguar një e-mail zyrtar për palët e përfshira në këtë histori, duke sqaruar: bazuar në rregulloren e KAS-it, apeli i Flamurtarit duhej shoqëruar me pagesën përkatëse, për të nisur procedurat. Duke qenë se Flamurtari nuk bëri asnjë pagesë në KAS, apelimi i Flamurtarit konsiderohet i pavlefshëm dhe çështja konsiderohet e mbyllur përfundimisht, me pamundësi të një apelimi të dytë.

PËRFUNDIMI – E thjeshtë, Flamurtari duhet të paguajë Gjokën. Nuk ka rëndësi kush, Idrizi, klubi, bashkia apo Shpëtim Gjika: FSHF tashmë do të kërkojë zbatimin e vendimit dhe Flamurtari duhet paguajë menjëherë, ose do t’i hiqen sërish pikë në renditjen e Superiores, çka do të ishte katastrofë. Nëse kjo ndodh, atëherë kot që është bërë gjithë kjo merkato në verë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.