Tashmë është mbyllur gjithçka. Tirana duhet të bëjë pa sulmuesin Dejan Blazhevski në pjesën e dytë të sezonit. SportEkspres.com mëson se ditën e sotme maqedonasi ka mbërritur në kryeqytet dhe ka marrë lejekalimin që i mundëson atij të nënshkruajë aty ku ka dëshirë.
Gjasat janë që të firmosë me Rabotniçkin, madje po sot ka pasur edhe një takim me presidentin e klubit maqedonas. Në garë për të ishte edhe Shkupi. Në të shkuarën në Maqedoni ai është aktivuar me Turnovo dhe Vardarin, madje me këta të fundit ka arritur të shpallet edhe kampion.
SHIFRAT TE TIRANA – Blazhevski te bardhbelutë nuk u ngrit në lartësinë e pritshmërive. Vetëm tre gola të realizuar në fazën e parë, fillimisht me Luftëtarin dhe më pas dy rrjetat e tundura me Kastriotin. Humbja e penalltisë me Laçin mund të jetë “pengu” i tij.
Sulmuesi luajti 10 ndeshje në Superiore, tetë herë duke e nisur si titullar. Një dëmtim e penalizoi Blazhevskin, i cili më pas nuk ishte në planet e trajnerit Ardian Mema. Ky i fundit në shumicën e kohës nuk e kishte në dispozicion 33-vjeçarin, por edhe pas rikuperimit nuk e preferoi.
Kështu, largimi i tij ishte i pritshëm dhe tashmë Blazhevski pritet të zyrtarizohet fillimisht si largim i bardhebluve dhe më pas të prezantohet te Rabotniçki. Nga ana tjetër Tirana po punon për të bërë afrime cilësore për sulmin.