Ditmar Bicaj do të jetë në fushë ndaj Flamurtarit me statutin e një “ish”-i. Mbrojtësi me eksperiencë zgjodhi që të nënshkruante me Teutën në verën që lamë pas dhe deri më tani ka treguar se është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të “djemve të detit”.
Në një prononcim për “RTSH Sport” mbrojtësi tregon se do të jetë një ndeshje disi më e veçantë se të tjerat për të, por ai thekson se është shumë i përqendruar te Teuta. Bicaj beson se ndeshja e nesërme do të jetë e bukur, por në fund uron që skuadra e tij të dalë me pikë të plotë, duke dhënë dhe recetën e suksesit.
“Luajmë përballë Flamurtarit dhe për mua është një ndjesi paksa e veçantë, pasi kam kaluar shumë mirë atje. Gjithsesi, momentalisht jam totalisht i fokusuar tek Teuta. E kemi mbyllur fazën e parë dhe do të thosha ka qenë pozitive. Ikim në Vlorë dhe shpresoj që të dalim sa më mirë. Si në çdo ndeshje tjetër, objektivi ynë është trepikëshi”.
“Për ne çdo ndeshje është njësoj, si të luajmë në Durrës, si të luajmë jashtë, pasi na lejon çdo fushë që të luajmë futboll lirshëm dhe nuk është asnjë fushë tabu”.
“Të dyja skuadrat kanë të njëjtën sasi pikësh, kanë golavarazh të njëjtë dhe të dyja vijnë pas dy fitoresh, ndaj them se do të jetë një ndeshje shumë e bukur për t’u ndjekur. Ndeshjen do ta fitojë ajo skuadër që do të jetë më cinike dhe më e përqendruar. Uroj që të jetë Teuta”.