Fatmir Efica
Pasditen e së enjtes, gjithë kontigjenti i futbollistëve të Besës që mbylli sezonin e fundit dhe disa lojtarë të thirrur nga skuadra U-19, janë njohur me trajnerin e ri. Ai është Ilir Duro, një emër me potencial si ish-futbollist, me një karrierë të gjatë e mjaft të lakuar për mbi 17 vite. Ai ka punuar gjithnjë si trajner në skuadrat e grupmoshave dhe ka një eksperiencë të gjatë në punën me talentet e reja. Ndihmësi i tij do të jetë Shkëlzen Ypi, 43-vjeçari që ka punuar me ekipet U17 dhe U19 të Besës vitet e fundit. Ai do të zërë vendin e Ndriçim Kashamit.
PREZANTIMI – Koncepti dhe filozofia që ka shpalosur që në takimin e parë prezantues trajneri i ri ka qenë tepër e thjeshtë. “Do të punojmë bashkë për ta ngritur shpejt emrin e Besës në vendin që i takon. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se do të na duhet shumë punë. Por, me urtësi, thjeshtësi, respekt të ndërsjellët, disiplinë, dhe stërvitje rigoroze, arrihet gjithçka. Prioritet do të kenë lojtarët kavajas. Shumica prej tyre e kam të qartë se vërtetë vlejnë dhe janë të aftë të shërbejnë shumë për fanellën aq të rëndë të Besës. Na presin sfida të vështira, po ajo që kam merak është fryma e bashkëpunimit në grup”, është shprehur Duro para lojtarë, ndërkohë që sa i përket objektivave, ai thekson se është shumë shpejt për të folur për to. “Nuk dua e nuk më takon mua të futem në të tilla analiza. Për mua e rëndësishme është që të nisë një etapë e re pune e përpjekjesh të përbashkëta për futbollin e Besës. Sigurisht është shpejt për të shpalosur objektivat. Ajo që mund t’ju siguroj paraprakisht është se në bisedat që kam pasur me drejtuesit më të lartë të Bashkisë së qytetit, kam marrë si garanci të parë ndihmën e mbështetjen e pakursyer të tyre, për t’i dhënë një impuls të ri punës te Besa”, përfundon Duro fjalën e tij.