Besa e Korabi gjejnë miqësore, Bubeqi: Mundësi për të rinjtë

Edhe nesër pritet të ketë disa miqësore, kryesisht nga ekipet e Kategorisë së Parë. Kështu, Besa ka siguruar një tjetër përballje dhe këtë herë do të ndeshet me Ballkanin e Suharekës, ekip ku gjen si kundërshtar Ledian Muçajn, i cili në të shkuarën ka luajtur me ngjyrat verdhezi.

Kjo ndeshje do të luhet në Kavajë prej orës 13:30, ndërkohë që pritet të debutojë edhe afrimi i fundit Sadush Danaj. Drejtuesit ndërkohë po punojnë për të bërë edhe disa afrime të tjera në vazhdim.

Ndërkohë edhe klubi i Tomorit ka gjetur një kundërshtar për miqësore. Është gjetur gjuha e përbashkët për të luajtur kundër skuadrës së Korabit, që gjithashtu garon në Kategorinë e Parë. Kjo ndeshje do të luhet prej orës 11:00 në “Olympic Park” në Durrës.

Për SportEkspres.com, trajneri i Korabit, Dorian Bubeqi, deklaron se ende skuadra e tij ka nevojë për kolaudim: “Tomorin e quaj një skuadër të mirë për t’u testuar në këtë periudhë pa aktivitet zyrtar. Ende nuk e kemi arritur kolaudimin e plotë të skuadrës. Në miqësoret e kaluara titullarët janë shprehur mirë, por me të rinjtë dhe ata që do të jenë si alternativa brenda skuadrës, nuk më kanë bindur. Ndoshta kjo miqësore do të jetë një mundësi më shumë për ta”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *