Italia vazhdon përgatitjet për dy ndeshje kundër Greqisë dhe Bosnjës, respektivisht me datë 8 dhe 11 qeshor. Radha për të dalë në konferencë për shtyp i ka qëlluar Federiko Bernardeskit. Lojtari i Juventusit ka komentuar rreth disa çështjeve të ndryshme.
Finalen e Champions Ligës e ndoqi nga TV dhe provoi një ndjesi të çuditshme. Trishtimin e tifozëve për kalimin e Kontes tek Interi e kupton, por asgjë nuk ndryshon sukseset e tij si bardhezi.
Më pas Alegri, i cili u largua pas 5 titujve kampionë të fituar dhe trajneri i ri. Zgjedhjen e bëjnë drejtuesit. Lojtari ofensiv ka besim tek ata, por një koment pozitiv për Mauricio Sarrin, kandidatin kryesor për stolin e Juves, nuk mungon.
Në fund kombëtarja dhe Moize Ken. Mançini ka krijuar një grup fantastik, ndërsa nuk mungojnë këshillat për shokun e talentuar të skuadrës.
CHAMPIONS – “Vuajta pak duke parë finalen në TV. Ky ishte një sezon i çuditshëm. Ëndërroj të fitoj Champions Ligën dhe Europianin me Italinë në të ardhmen. Konte? Kam patur fatin ta kem trajner. Antonio ka shkruar historinë si futbollist dhe trajner i Juventusit. I kuptoj tifozët, por arritjet e Kontes do të mbeten gjithmonë.
ALEGRI – “Meriton shumë pasi fitoi shumë dhe nuk e pati aspak të thjeshtë. Ai ka idetë e tij, të cilat e udhëhoqën Juven në gjithë këto suksese. Trajneri i ri? Nuk mund të shprehem. Kemi drejtues të aftë në klub. Kushdo që do të vijë do të jetë në nivelin e duhur dhe do të sjellë diçka më shumë për ne futbollistët. Si futbollist mund të them që Sarri është një profil i vlefshëm, por nuk e di nëse do të jetë ai trajneri ynë.
KOMBËTARJA – “Është krijuar një grup fantastik me plot djem të rinj të talentuar. Ken? Duhet të rritet pa shumë presion dhe përgjegjësi. Duhet të gabojë përsëri që të gjejë ekuilibrin dhe mënyrën e duhur të punës. Do të ishte një gabim i madh t’i vendosim etiketa që tani.