Reali i Madridit duhej të reagonte pas turpit në Champions League dhe e ka bërë, duke fituar 4-1 në Vajadolid, në një ndeshje të çmendur.
Në gjysmë orën e parë të ndeshjes një Real i shthurur mund të pësonte më shumë se një gol, por dy herë VAR anuloi golat vendas, ndërsa në minutën e 12-të Ruben Alkaraz çoi në parking një penallti.
Në minutën e 29-të erdhi goli i Vajadolidit, me Tuhamin që bëri të niste festa vendase, por Varane 5 minuta më vonë zgjoi Realin.
Në pjesën e dytë Reali ishte superior dhe mbi të gjitha gjeti Benzema, i cili në minutat 51 e 59 shënoi 2 gola që e ngjitin në kuotën 22 këtë sezon.
Gjithçka e thjeshtë më pas dhe Luka Modriç 5 minuta para fundit të ndeshjes shtoi edhe një gol, me madrilenët që të paktën duken të sigurt në vendin e tretë në La Liga. Gjithsesi, para golit të fundit Kasemiro mori një karton të kuq që e pezullon për ndeshjen e ardhshme dhe konfirmon formën e tij të dobët.