Hatem Ben Arfa është padyshim një ndër lojtarët që do të kujtohet gjatë për talentin që ka pasur në këmbë dhe që nuk ka ditur ta menaxhojë si duhet, kjo për shkak të shumë faktoreve, ku kryesor ka qenë karakteri i tij.
Tashmë, në moshën 32-vjeçare, ai luan për Renën. Në një intervistë të bërë së fundmi, Ben Arfa bëri bujë me deklaratën e tij, për sa i përket futbollit të sotëm. Francezi deklaroi se vetëm Barcelona na kujton që futbolli nuk ka vdekur dhe se kënaqësia për të luajtur futboll është zhdukur.
“Mënyra se si ata luajnë është për t’u admiruar. Futbollit, kontrolli, ata bëjnë qejf dhe ky është futbolli. Tani ka shumë lojë mbrojtëse. Shumë taktika, por nuk është kjo baza. Fatmirësisht, Barcelona na kujton që futbolli nuk ka vdekur. Ditët e sotme shikon Kupën e Botës dhe sheh që kënaqësia për të luajtur futboll është zhdukur.”