Bashkia Tiranë vihet në lëvizje hë lidhje me futbollin dhe Tiranën. Jo, nuk është ajo që mendoni, nuk ka krizë me dy aksionarëve të mëdhenj të klubit bardheblu, përtej rënies nga kategoria. Katastrofa e rënies nga kategoria nuk solli ndonjë reagim zyrtar nga bashkia, por ditën e djeshme kryebashkiaku Erjon Veliaj ka pritur skuadrën dhe gjithë drejtuesit, që i kanë çuar kupën në zyrë. Atmosferë e ngrohtë, asnjë kritikë e polemikë, për një sezon të mbrapshtë, në çdo drejtim.
TAKIMI – Pasditen e djeshme të gjithë janë paraqitur gjithë futbollistët dhe stafi bardheblu. Kryebashkiaku Veliaj i ka ftuar në zyrën e vet për t’i përgëzuar për kupën, por gjithçka është bërë në heshtje, pa ndonjë bujë mediatike dhe pa trumbetim, aq sa nuk është dhënë asnjë njoftim as nga bashkia dhe as nga klubi bardheblu. Natyrisht, nuk është momenti për gjëra të tilla, sepse situata është shumë e acaruar dhe grupimi “Tirona Fanatics” nuk do ta priste mirë një takim të tillë. Në Elbasan u pa qartë që tifozëve nuk u intereson kupa dhe fitimi i saj thjesht sa shtoi nervozizmin, ndaj duhej evituar ndonjë shkëndijë tjetër, si do të dukej njoftimi për takimin në bashki.
PREMTIMET – Kryebashkiaku Veliaj nuk e ka prekur shumë ecurinë e Tiranës këtë sezon dhe rënien nga kategoria. Kryesisht ai është ndalur te triumfi ndaj Skënderbeut dhe tek e ardhmja e klubit. Ashtu si shpesh në të shkuarën, ai ka premtuar mbështetje të plotë për Halilin, ndërkohë që ka premtuar edhe fonde të tjera për klubin. Në fakt, ka kohë që është premtuar shlyerja e gjithë borxhit që bashkia ka ndaj klubit, por ka pasur shumë zvarritje për shkak se llogaria bankare e klubit ka qenë e bllokuar nga borxhet e akumuluara ndër vite. Mësohet se para pak ditësh Tiranës i janë kaluar 200 milionë lekë, nga fondi prej 400 milionësh që i takonte, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet së shpejti, ka qenë premtimi i Veliajt.
E ARDHMJA – Nuk ka ndonjë plan për takim kokë më kokë mes Veliajt e Halilit. Rënia nga kategoria është një çështje që Bashkia nuk ka ndërmend ta përdorë kundër Halilit, i cili do të vazhdojë punën qetësisht, edhe pse tifozët i ka qartësisht kundër. Në horizont janë ndeshjet në Europa League dhe skuadra duhet ndërtuar me urgjencë, ose të paktën duhet evituar largimi i titullarëve.