Bashkëshortja e trajnerit brazilian të Tiranës Zhozé Marselo Ferreira, i njohur nga të gjithë si Ze Maria, Sandra, ishte e pranishme në stadiumin “Selman Stërmasi”, për të ndjekur ndeshjen miqësore kundër Kukësit. Braziliania sapo kishte mbërritur në Tiranë dhe duket qartë që përshtypjet nga Shqipëria janë shumë të mira, pasi siç rrëfen ajo, jetesa këtu është evropiane, ndryshe nga Afrika, ku familja nuk e ndoqi Ze Marian për të jetuar atje. Për gazetarët e pranishëm në stadium, Sandra lëshoi një intervistë të shkurtër.
“Sapo kemi mbërritur, po kërkojmë shtëpi, për të nisur një jetë të re. Në të vërtetë, nuk dinim asgjë për Shqipërinë, por ka disa ditë që na flasin mirë. Edhe sot në aeroport më thanë që do të habitesha, sepse qyteti është i bukur. Nga aeroporti deri këtu krijova një përshtypje mjaft të mirë, qytet i bukur, i pastër, evropian”.
Ze Maria duket se është bindur që në Tiranë jetohet mirë, edhe për familjen e tij: “Bashkëshorti më ka thënë që Tirana i pëlqen shumë, është një qytet ndryshe nga Afrika. Edhe atje shkonim, por nuk është se na pëlqente shumë, sepse kur jeton në Europë dhe je mësuar me një stil jetese, e ke të vështirë të ambientohesh në Afrikë. Ai është shumë i kënaqur, qyteti është i bukur, njerëzit janë shumë të këndshëm e të disponueshëm. Tani shpresojmë të gjejmë ndonjë shkollë të përshtatshme për fëmijët.
Jeta me një bashkëshort që punon trajner? “Gjithnjë e vështirë, sepse nuk jemi kurrë bashkë, por tani jam mësuar, kemi 20 vite bashkë. Ai ka qenë futbollist për shumë vite dhe tani është trajner, në aspektin familjar nuk është e lehtë. Njohja me Zhozenë? Në Brazil, unë jam braziliane, jemi njohur e martuar andej, pastaj u transferuam në Itali.
Tirana kundër Makabit, një ndeshje që për brazilianen është një mister total, por gjithsesi me diplomaci ajo bën tifozllëk për bashkëshortin: “Besoj se Tirana kualifikohet, e njoh bashkëshortin tim, punon shumë dhe besoj se do t’ia dalë mbanë”.