Barcelona e nisi mbarë sezonin e ri duke fituar Superkupën e Spanjës. Ekipi i Valverdes mposhti Seviljën me rezultatin 2-1 dhe tashmë është gati për të nisur kampionatin. Josip Bartomeu, presidenti i Barçës, ka folur për objektivat e klubit, merkaton dhe Andres Iniestën. Mesfushori do të kthehet një ditë në klub dhe kjo është e sigurt.
“Sezonin e ri e nisim me një entuziazëm të madh dhe shumë objektiva. Duam të fitojmë gjithçka. Po kompletojmë një kontingjent të shkëlqyer. Kemi afruar lojtarë të rinj si: Lenglet, Artur, Malkolm dhe një futbollist ekspert dhe me personalitet si Vidal.
Merkato mbyllet me 31 gusht dhe do të jemi të vëmendshëm deri në fund. Valverde ka ide të qarta dhe po menaxhon shumë mirë grupin. Na pret një e ardhme pozitive.”
“Iniesta? Aventura si futbollist i Barcelonës ka mbaruar, por një ditë do të kthehet të marrë një pozicion të ri në klub. Diçka të tillë e kemi diskutuar së bashku”, përfundon kreu i Barcelonës.