Barela: Nuk luaj për Ferrari, ja ku ngjaj me Naingolan

Nikolo Barela, pjesë e Kaljarit, ka rënë në sytë e shumë klubeve të mëdha. Mesfushori me shumë mundësi në verë do të transferohet në ndonjë klub tjetër dhe tregon se nuk trembet prej faktit që tifozët mund ta konsiderojnë tradhtar në momentin që do të larohet.

“Nuk kam frikë nga kjo, pasi nëse unë do të duhet ta lë Kaljarin, nuk do të ndodhë për para. Do iki vetëm për ambicie”, shprehet Barela, i cili më tej tregon se nuk ndien presion prej faktit që njerëzit presin shumë nga ai.

“Të ndihesh pjesë e një populli nuk është barrë, por krenari. Më shumë se të tjerët unë gëzohem kur fitojmë dhe vuaj kur humbim. Unë e di që njerëzit duan gjithnjë e më shumë prej meje, por edhe duhet ta dinë që edhe kur luaj keq kam dhënë gjithçka”, ka shtuar mesfushori në “SportWeek”, shtojcë e “Gazetta dello Sport”.

Barela është vetëm 21 vjeç dhe thekson se kalimi në një klub më të madh nuk do ta ndryshojë atë si njeri: “Jam i sigurt që do të mbetem i njëjtë edhe nëse shkoj të luaj diku tjetër. Mua nuk më intereson Ferrari apo shtëpitë luksoze. Heq fiksimet e mia, por nuk luaj futboll për të blerë makina të bukura. Kur të fitoj mjaftueshëm për të blerë Ferrarin, ndoshta do ta blej atë. Por unë nuk jetoj për këtë”.

NGJASHMËRIA ME NAINGOLAN – “Ekziston një interpretim i njëjtë i lojës, pasi asnjëri nga ne nuk lëshon pe në fushë. Është edhe mënyra se si rrëshqasim për ta marrë topin, por ai është më i fortë fizikisht”.

UNË INTERIST? – “Jo, nuk bëj tifo për Interin. Gjithmonë kam mbështetur Kaljarin, por në shtëpinë time të gjithë janë interistë dhe kur isha fëmijë lumturohesha kur ata fitonin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *