Keidi Bare konfirmon sërish momentin e mirë që po kalon. Pas aktivizimit të parë si titullar në fitoren 2 – 0 në transfertë ndaj Real Zaragozës, fierakut i është dhënë një tjetër mundësi që e shfrytëzuar në mënyrë perfekte.
Bare luajti për 90 minuta në fitoren 2 – 1 ndaj Lugos. Skuadra e mesfushorit të kombëtares shqiptare u gjend në disavantazh, por në fund arriti të merrte tre pikët që e çojnë në krye të tabelës së Segunda Divizion, dy pikë larg ndjekësve të Granadës.
Ndërkohë, duket se 21-vjeçari po fiton dhe simpatinë e tifozëve që shkruan elozhe të shumta për paraqitjen e shqiptarit në rrjetet sociale. Gjithsesi, një kritikë për lojtarin mund të jetë raporti shumë i afërt me kartonët e verdhë, që nuk e shmangu dot as në takimin e sotëm.