Në Portugali janë të dashuruar pas tij dhe e cilësojnë si pasardhësin e Kristiano Ronaldos. Flasim për Zhoao Feliks, 19-vjeçarin e talentuar të Benfikës. Ai luan si sulmues i dytë, ka një të djathtë fantastike dhe mund të bëjë mirë rolin e fantazistit dhe sulmuesit të krahut.
Gjatë këtij sezoni ai ka zhvilluar 12 ndeshje me “Shqiponjat e Lisbonës”, ku ka shënuar 6 gola dhe dhuruar 3 asiste. Siç raporton “Mundo Deportivo”, Barcelona e pëlqen shumë lojtarin dhe është gati të sigurojë shërbimet e tij për në verë.
Benfika nuk ka qëndruar pasive dhe në ditët e para të nëntorit të kaluar ka rinovuar kontratën me Feliks deri në vitin 2023. Klauzola e shitjes së tij është 120 milionë euro, por Barcelona nuk e ka problem çmimin e lartë.
Drejtuesit e klubit katalanas janë gati të nisin negociatat dhe duan të arrijnë një akord sa më shpejt të jetë e mundur për t’i dhuruar Ernesto Valverdes një lojtar të talentuar që mund të jetë e ardhmja e repartit ofensiv të Barcelonës.