Kanë mbetur për t’u përcaktuar vetëm disa klauzola, por Mario Baloteli do të jetë lojtari më i ri i Olimpikut të Marsejës. Sulmuesi italian ka arritur akordin dhe do të lërë Nicën për t’u transferuar në ekipin e Rudi Garsias. “L’Equipe” raporton akordin e veçantë dhe Baloteli do të përfitojë 3 milionë euro për 17 ndeshje të luajtura.
Palët ishin afër dhe gjatë verës, ndërsa tashmë Marseja ka arritur ta ofrojë Super Marion në ekip. 28-vjeçari ka ndërruar shtëpi dhe debutimi i tij me Marsejën mund të vijë që në ndeshjen e së premtes kundër Lilës. Ai ishte një dëshirë e madhe e trajnerit Garsia, por dhe e presidentit amerikan.
Frenk MekKort do të jetë i pranishëm në stadium kundër Lilës për të ndjekur nga afër sulmuesin e ri të ekipit. Baloteli vjen nga një sezon i dobët, nuk ka shënuar asnjë gol me Nicën, ndërsa tashmë është gati të nisë një tjetër aventurë me shpresën që golat e tij do ta ndihmojnë Marsejën të kualifikohet në Champions Ligë.