Bekim Balaj është gati për ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë. Sulmuesi shkodran ka dalë në konferencë për shtyp, duke u ndalur te mbarëvajtja e stërvitjeve dhe trajneri i ri.
28-vjeçari komenton edhe skemën 3-5-2, me të cilët pritet ta vendosë trajneri italian ekipin në transfertën skandinave. Ndryshim i madh, pasi rikthehemi pas shumë vitesh të luajmë me dy sulmues.
SITUATA – “Çdo gjë po shkon mirë dhe po përgatitemi seriozisht. Stërvitja ka qenë intensive dhe përqendrimi ka qenë maksimal, që në këto dy ndeshje të arrijmë formën maksimale.”
REJA – “Gjërat ndryshojnë sepse është një trajner i ri dhe metodë e re të punuari. Në çdo ekip ndodh kjo gjë. E rëndësishme është që jemi të gjithë të lumtur, ndihemi të lumtur dhe të gjithë po punojmë maksimalisht.”
SKEMA 3-5-2 – “Është hedhur si opsion, por nuk është vetëm ky modul loje. Po shohim opsione të ndryshme dhe trajneri po bën provat e veta. E rëndësishme është që të jemi gati dhe çfarëdolloj skeme për ne nuk ka rëndësi. Në rast se ne japim më të mirën tonë, çdo rezultat është i mundshëm.”
SULMI – “Kombëtarja ka luajtur prej vitesh me një sulmues. Sigurisht që me dy do të jetë më mirë për sulmuesit, pasi bashkëpunimi do të jetë më i madh. E rëndësishmja është që kushdo që luan, si me 1 sulmues si me 2, është që do të jepet maksimumi.”
OBJEKTIVI – “Jemi këtu për interes të përbashkët. Jemi këtu që Shqipëria të arrijë maksimumin në këto dy ndeshje. Ardhja e lojtarëve si Cikalleshi i bën mirë ekipit dhe do ndihmojë akoma më shumë në arritjen e objektivave.”