Sinan Idriz njihet për deklaratat e tij deri duki filozofike dhe mjaft voluminoze, të cilat në disa raste duhet t’i dëgjosh me shumë kujdes për t’i kuptuar thelbin e asaj që ka si mesazh.
Në një prononcim për mediat pas festës së organizuar nga FSHF, numri një i kuqezinjve komentoi dhe formimin e Ligës, duke veçuar se nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga sistemi aktual. Normalisht Idrizi nuk mund të linte jashtë vëmendjes edhe një koment për skuadrën e tij, duke veçuar se synimet janë të qarta: Kupat e Europës.
“E votova edhe unë krijimin e Ligës Profesioniste, por ajo nuk ka asnjë ndryshim nga Liga e tanishme. Është njësoj si të thuash ku ndryshon bakteri nga virusi. Problemi i klubeve shqiptare është te bankomati: te Flamurtari ka vonesa, ashtu si në çdo skuadër dhe problemi lidhet me faktin që ky lloj futbolli nuk prodhon asgjë. Të vetmet të ardhura vijnë nga kupat e Europës dhe ato nuk mjaftojnë”.
“Ka pasur presidentë edhe më të zotë nga ne që jemi tani, të cilët nuk kanë mundur t’u sjellin klubeve përfitime. Merrni shembull nga Kosova: ata miratuan ligjin e sporteve dhe 30% e tatimeve u kalon klubeve. Nevojitet ligji i sportit edhe në Shqipëri, që situata të ndryshojë. Vetëm kështu bankomatet e klubeve do të funksionojë”.
“A rrezikon Flamurtari të mos luajë në Europë? Çfarë janë këto budallallëqe. Shpesh na dalin lajme për borxhe, si ai i trajnerit Levi, të cilin e kishim paguar para një muaji. Ikni shikoni listën e pagesave që kemi shlyer”.
“Personalisht kam shpenzuar 10 milionë e 861 mijë euro. A kam një mesazh për futbollistët? U’a kam dhënë mesazhin lojtarëve para festave dhe tashmë të vazhdojmë drejt objektivave”.