Elis Bakaj bëri një sezon të mirë në Bjellorusi dhe më pas erdhi edhe kontrata e re. I rikthyer në pozicionin e tij të mëparshëm si sulmues i dytë, futbollisti kryeqytetas ka asistuar shpesh për shokët e skuadrës dhe ka shënuar gola të rëndësishëm për Shaktor Soligorskin. Në fund tifozët e zgjodhën edhe si më të mirin e ekipit të tij.
“Për një sportist, që të votohet si lojtari më i mirë i vitit i ekipit të tij, nga tifozët, është diçka shumë e bukur dhe një sodisfaksion shumë i madh për mua, për të vazhduar më tej, që të jap maksimumin me këtë ekip”, thotë Bakaj në një intervistë për Supersport.
PËRSHTATJA – “Gjërat shkuan ashtu siç klubi e priste nga unë, sepse ata bënë një investim të madh për mua dhe prisnin t’u shpërblehej. Jam ambientuar shumë mirë, ndihem shumë mirë këtu, ashtu si edhe familja ime, kështu që jo më kot rinovova edhe kontratën. Kam pasur edhe oferta të tjera, por ndihem mirë dhe i respektuar nga të gjithë këtu. Ndaj bashkë me familjen time vendosëm të qëndrojmë”, shton Bakaj.
OBJEKTIVI – Shaktar Soligorski e mbylli në vendin e dytë këtë vit, ndërkohë që sezonin e ardhshëm synohet titulli. “Këtu çdo sezon synohet titulli, pavarësisht se është e vështirë, sepse dihet që Bate Borisov ka një ekip shumë të mirë. Megjithatë ne kemi luajtur dy herë me ta këtë sezon dhe një herë kemi humbur e një herë kemi fituar, por kemi parë që nuk kanë asnjë diferencë me ne, në fushën e lojës”, deklaron sulmuesi.
SUPERIORJA – Fillimisht flet për Tiranën, klub që është kthyer si në një shtëpi për Bakajn: “Normalisht që nuk më vjen mirë që një ekip si Tirana të jetë në një gjendje të tillë, të vështirë, megjithatë futbolli i njeh edhe këto situata, ndaj njerëzit duhet të mësohen me faktin se tashmë nuk luhet më me fanellë, por në fushë dhe çdo skuadër ka të drejtë të pretendojë. Sot në futboll fiton ai që investon më shumë para, por unë si ish-futbollist i Tiranës uroj vetëm që skuadra të rikthehet sa më shpejt në nivelet që ka qenë për vite me radhë”.
“Partizani është një nga pretendentët kryesorë për të marrë titullin, bashkë me Kukësin. Të kuqtë kanë lojtarë cilësorë në ekip dhe ky mund të jetë viti i duhur për t’u rikthyer te titulli kampion”, përfundon Elis Bakaj prononcimin e tij.