Bajerni duket se e ka humbur durimin me trajnerin Karlo Ançeloti. Ndryshe nga sezoni i kaluar, kur gjëra te ecën mirë që në fillim, por skuadra ra në fundin e sezonit, sivjet gjërat kanë marrë ters që në verë. Kështu, sipas asaj që raporton “ESPN”-ja në SHBA, drejtuesit e klubit bavarez po planifikojnë largimin e parakohshëm të italianit. Kontrata aktuale e këtij të fundit përfundon pas dy vitesh (2019), por klubi duket se do t’i shtojë një klauzolë, në bazë të së cilës 58-vjeçari mund të lërë skuadrën në qershorin e ardhshëm duke përfituar një shumë të majme parash. Pra, Ançeloti i bie që ka vetëm një sezon kohë për të fituar trofeun e shumëpritur, Ligën e Kampionëve, ose përndryshe do të marrë telefonatën e largimit. Tragjike, apo jo? Epo, ky është futbolli.
Gjendja – Bajerni nuk është aspak mirë. Pas miqësoreve të turpshme të gushtit, skuadra po luan dobët edhe në kampionat dhe, ndonëse fitoi 3-0 me Anderlehtin, lojtarët patën përplasje me njëri-tjetrin. Humbja 2-0 me Hofenhajmin fundjavën e kaluar ishte një alarm i madh dhe mediet kanë nisur me kritikat, ashtu si ekspertët e futbollit gjerman. Përveç kësaj, disa lojtarë kryesorë si Robert Levandovski, Tomas Myler dhe Frenk Riberi po shprehen në versione krejt të pazakonta, duke u ankuar brenda dhe jashtë fushës. Drejtuesit kanë nisur me dënime dhe gjoba, por ndoshta këto nuk do të mjaftojnë dhe “kokë turku” do të bëhet Karletoja.
Pasuesi – Ky lajm bëhet edhe më i besueshëm duke kujtuar një tjetër para tij. “BBC” para pak ditësh raportoi se Julian Nagelsman po projektohet si pasues i Ançelotit për verën e ardhshme. Mos vallë është rastësi që trajneri i Hofenhajmit nuk u shkrua se do të lërë ekipin e tij në vitin 2019, kur i përfundon kontrata, por fiks vitin që vjen? Pra, janë dy lajme të ngjashme, të cilat kanë trazuar jo pak gjërat në Mynih. Ndryshime të mëdha priten!