Për herë të parë në histori, Bajerni i Mynihut ka shpërdoruar avantazhin e dy golave në dy ndeshje rresht në Bundesligë, sepse sot u ndal te barazimi 2-2 në Berlin nga Herta.
Ishte ndeshja e parë pas largimit të bujshëm të Karlo Ançelotit dhe pas shumë zhurme e aludimesh se titullarët e Bajernit e larguar italianin, sot pritej kthesa e fuqishme me trajnerin e përkohshëm Uilli Sanjol. Ajo nuk erdhi, ose më saktë zgjati vetëm 49 minuta, aq sa u desh që “tradhtari” Humels dhe Levandovski të shënonin dy gola, por më pas erdhi përmbysja e madhe.
Duda në minutën e 51-të dhe Kalu në të 56-tën shënuan dy gola të shpejtë, që tronditën Bajernin, dukshëm në vështirësi, edhe pse pati 66% zotërim të topit.
Ndoshta ky Bajern do të shpërthejë më vonë, por Dortmundi është që tani 5 pikë përpara.
Nuk mjaftoi barazimi, por Bajerni ka marrë edhe një lajm mjaft të keq, sepse në minutën e 60-të Frank Riberi pësoi një dëmtim serioz në gju, duke dalë nga fusha i ndihmuar nga mjekët, pasi nuk ecte dot më. Një dëmtim shqetësues, sepse u duk një problem i rëndë.