Atletikos i bllokohet merkatoja, KAS nuk e trajtoi si Realin

0

Atletikos së Madridit i është refuzuar apeli për të hequr bllokimin e transferimeve, pas shqyrtimit të çështjes në Gjykatës e Arbitrazhit Sportiv (KAS).

Në këtë mënyrë, Atletiko nuk do të lejohet të bëjë asnjë blerje deri në janar të vitit të ardhshëm, një vendim që “shkakton dëme të pariparueshme”, sipas klubit spanjoll.

Ky vendim bën që të ndryshojë tërësisht edhe strategjia e klubit për sa u përket shitjeve, sepse është e qartë që tashmë Antuan Grizman do të linte një groipë të frikshme në sulm, nëse shitet në verë, me klauzolën që është rreth 100 milionë euro.

Klubi madrilen është dënuar nga FIFA që të mos kryejë asnjë blerje për dy dritare transferimesh, për shkak se kishte shkelur rregullat e transferimeve të lojtarëve nën 18 vjeç. Gjithashtu, u dënua edhe Reali dhe të dy klubet u gjobitën me rreth 700.000 euro secili.

Megjithatë, dënimi i Realit u përgjysmua pas apelit në KAS, që çuditërisht nuk ka vepruar njësoj edhe me Atletikon, që tashmë detyrohet të shtyjë ose anulojë blerjen e sulmuesit Aleksandre Lakazet nga Lioni.

Vendimi ka irrituar Atletikon, që ka protestuar ashpër për trajtimin jo të njëjtë me Realin: “E konsiderojmë vendimin e marrë në KAS si diskriminues, duke parë se kohët  fundit dënimi u përgjysmua për një rast identik me tonin, duke lejuar që Reali të blejë lojtarë prej 1 korrikut. Vendimi është i padrejtë dhe i shkakton dëme të pariparueshme klubit tonë. Vendimi është komunikuar pas 31 majit, që ishte limiti kohor i njoftuar nga KAS, që ka treguar mungesë respekti për institucionin tonë. Jemi ndëshkuar, edhe pse kemi respektuar gjithmonë legjislacionin spanjoll.

“Planet tona sportive për sezonin e ardhshëm e parashikonin edhe këtë skenar, ndaj do të punojmë për përforcime prej 1 janarit, ndërsa kemi besim të plotë te skuadra jonë aktuale”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.