“Askush s’e vret mendjen për racizmin, gjithçka ndodh prej njerëzve si Bonuçi!”

Çështja e racizmit u rikthye përsëri në futbollin italian. Pas rastit të mbrojtësit të Napolit, Kalidu Kulibali tani i ndodhi Moize Ken. Sulmuesi i Juventusi përfundoi në “breshërinë” e ofendimeve raciste të tifozëve të Kaljarit pas golit të shënuar.

Leonardo Bonuçi i trazoi më shumë gjakrat pas ndeshjes. “Faji është 50 me 50. Ken e kërkoi vetë”, u shpreh mbrojtësi i Juves. Kundrejt kësaj deklarate ka reaguar një tjetër mbrojtjes juventin, më saktë ish-futbollist.

Lilian Turam sot lufton fort kundër racizmit dhe është treguar i ashpër kundër italianit. Ai shpjegon gjithçka, ka një mesazh për Ken dhe të gjithë lojtarët me ngjyrë dhe tregon se si zgjidhet kjo çështje tepër delikate.

Lilian Turam

REPLIKA – “Bonuçi thotë diçka që mendohet në masë: të zinjtë meritojnë atë që u ndodh. Pyetja e duhur që i duhet bërë atij është kjo: çfarë ka bërë Ken për të merituar aq shumë përbuzje? Bonuçi nuk thotë kurrë që tifozët kanë gabuar, por që e kërkoi Ken. Është njësoj si të përdhunosh një grua dhe t’ia vësh fajin veshjes së saj. Për shkak të këtyre lloj njerëzve nuk rregullohen gjërat.”

THIRRJA – “Leonardo nuk është idiot, por ka një ide të caktuar të shoqërisë dhe qëllimet e tij janë të turpshme. Duhet të jemi të qartë sa i përket racizmit. Thirrjet ‘buuu’ përfaqësojnë përbuzje për të gjithë njerëzit, përfshirë fëmijët me të njëjtën ngjyrë lëkure si Ken. Moizes dhe të gjithë njerëzve me ngjyrë dua t’u them që të ndihen krenar dhe të kërkojnë respekt nga njerëzit si Bonuçi, që dëshirojnë t’i përulin.”

ZGJIDHJA Gjithmonë thonë që ndeshja e radhës do të ndërpritet, por nuk ndodh kurrë. Kjo çështje nuk u intereson aspak institucioneve të futbollit. Nëse do të ishte me të vërtetë një problem, ndeshja do të ishte ndalur. Futbollistët që nuk pësojnë thirrje raciste duhet të tregohen solidarë me shokët e tyre. Duhet kuptuar se kur ndodh një gjë e tillë, nuk preket vetëm një person, por miliona të tillë. Duhet sqaruar se nuk vazhdohet kështu përpara, por futbolli është biznes. Asgjë nuk do të ndryshojnë institucionet e tij që nuk kanë marrë kurrë parasysh mundësinë e ndërprerjes së ndeshjes.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *