Marko Verrati ka treguar anën e tij humane me veprimin e fundit. Mesfushori italian do të paguajë një kompjuter dhe pajisjet e vjedhura në një shkollë të Bolonjës. Shkolla është grabitur përpara disa ditësh dhe midis objekteve të zhdukura, mungonin kompjuteri dhe mjetet didaktike që një 9-vjeçar përdorte për të komunikuar me shokët e tij dhe mësuesit.
Djali është me aftësi të kufizuara dhe babai i tij kishte bërë apel për ndihmë për gjërat e vjedhura. “Fëmija im ka nevojë të vazhdojë të shkojë në shkollë, por grabitësit i kanë vjedhur kompjuterin dhe çdo gjë kishte.”
Siç citon “Corriere di Bologna”, apeli ka rënë në veshët e Verratit, i cili është prekur nga kjo histori. Ai ka kontaktuar familjen nëpërmjet një konsulenti të besuar dhe i ka premtuar ndihmë.
Mesfushori i PSG do të dhurojë rreth 10 mijë euro për shkollën për të rikuperuar pajisjet dhe çdo gjë të rrëmbyer. Gjest i bukur nga ana e 25-vjeçarit, i cili ka dhuruar një asist akoma më të bukur, se ato që dhuron në fushën e blertë.