Arsenali ka gjetur marrëveshjen me Lionin për transferimin e sulmuesit Aleksandre Lakazet, për një shifër prej 50 milionë eurosh, që do të ishte rekord për klubin anglez.
Lajmi vjen nga Daily Mail, që shkruan se marrëveshja pritet të mbyllet brenda 48 orëve të ardhshme, me yllin e Lionit që do të paraqitet në Londër për kontrollet mjekësore, para zyrtarizimit.
Fillimisht Arsenalit iu refuzuan dy oferta nga Lioni, pasi presidenti francez Zhan-Mishel Ola u tregua i prerë në kërkesat e tij, duke mos zbritur poshtë 50 milionë eurove.
Ola përgënjeshtroi lajmet se transferimi mund të shkojë te 70 milionë eurot, duke përfshirë bonuset, duke thënë: “Është një shifër e pamundur, jashtë realitetit. Oferta e parë e Arsenalit shkonte te 44 milionë eurot, ndërsa tani do të mbyllim gjithçka për 50 milionë euro, që është diçka unike, një rekord për Arsenalin dhe një rekord për ne. Duhet kujtuar se tradicionalisht, një klubi si Arsenali nuk e ka zakon të shpenzojë kaq shumë për një futbollist. Për ne do të jetë një rekord i jashtëzakonshëm, nuk është një transferim i vogël, bëhet fjalë për 50 milionë euro për një lojtar që e ka prodhuar klubi ynë”.
Ditën e djeshme u publikua lajmi se Arsenali është gati të bëjë një ofertë të çmendur për Kilian Mbapenë, por Arsen Venger e ka pranuar se ylli i Monakos është tepër i vështirë për t’u arritur, ndaj ka zgjedhur Lakazeten, i cili ka shënuar 129 gola në 275 ndeshje për Lionin, me 37 gola në 45 ndeshje sezonin e fundit.