Armët e Partizanit dhe dyshja Vajushi-Rama, Starova “skanon” Superioren

Edhe pse nuk ka një skuadër në drejtim, Sulejman Starova është një ndër specialistët e futbollit shqiptar më të spikatur në këtë periudhë. Asnjëherë “Bobi” nuk të thotë “jo” kur i kërkon një mendim për situatën e futbollit shqiptar në tërësi dhe për Kategorinë Superiore në veçanti.

Për SportEkspres.com, Starova deklaron se Partizani është krijuar më shpejt nga të tjerat dhe në fazën difensive është më lart nga Kukësi e Teuta, që e ndjekin në renditjen e kampionatit. Sipas tij, si arma kryesore e Partizanit janë mbrojtja shumë e mirë dhe kundërsulmi i shpejtë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Në kampionat dhe në Kupë, a është ky Partizan më afër dy trofeve?
-Për Kupën tani fillon beteja më e fortë për të gjitha skuadrat që kaluan në turin e tretë të saj. Ndërsa në kampionat, Partizani është një hap para nga skuadrat e tjera. Tashmë i duhet që të harmonizojë mirë futbollistët, ku dhe trajneri Gega po tregohet inteligjent e krijues në formacion.

Në cilët tregues e mendoni suksesin e Partizanit në kryesimin e Kategorisë Superiore?
-Tregues kryesor mendoj se ësht fakti që Partizani është krijuar më shpejt nga të tjerat dhe në fazën difensive është më lart nga Kukësi e Teuta, që e ndjekin në renditjen e kampionatit. Si arma kryesore e Partizanit në 20 ndeshjet e luajtura janë mbrojtja shumë e mirë dhe kundërsulmi i shpejtë.

21 gol në 20 javë, a është ky një tregues i lojës me llogari të Partizanit?
-Kur treguesi i golave të pësuar në total mbetet më i ulët nga rivalët, 9, normale të thuhet që Partizani është i shpërblyer me kryesimin e renditjes. Kujt skuadre nuk i duhet një golashënues për të shënuar më shumë. Te Partizani golin nuk e bën emri i lojtarit, por e gjithë skuadra.

Për ndeshjen e javës së 20-të me Kamzën ka patur akuza mediatike për një pakt mes dy skuadrave, cili është këndvështrimi juaj?
-Nuk e mendoj kështu këtë këndvështrim mediatik. Kjo situatë duhet parë më gjerë, ku së pari duhet pyetur se pse Kamza ka ardhur deri këtu dhe vetëm kështu u jepet përgjigje atyre akuzave mediatike. Fitorja i bëri mirë ecurisë së Partizanit në kreun e renditjes, unë këtë vlerësoj.

Në Kategorinë Superiore kanë ardhur lojtarë si Valdet Rama dhe Armando Vajushi, tregon ky fakt se kemi një rritje të nivelit?
-Ardhja e tyre nga kampionate të huaja më të forta në Kategorinë Superiore i ka dy anët e medaljes. Së pari na bën mirë që ata vijnë në kampionatin tonë elitar, por së dyti, ata duhen pyetur pse erdhën deri këtu. Kanë dalë të panevojshëm aty ku kanë qenë, apo janë në rënie?

Të shtunën Partizani luan ndeshjen e javës së 21-të me Kastriotin, është kjo një sfidë e fituar?
-Partizani e humbi shansin e shkëputjes në javën e kaluar, pasi edhe Kukësi fitoi. Ndërsa këtë javë besoj se Partizani fiton me Kastriotin dhe Tirana i merr pikë Kukësit dhe shkëputja do jetë më e madhe. Mendoj se në të dy kahet e renditjes kjo do të jetë java e shkëputjes së skuadrave.

Si i shikoni ndeshjet e javës së 21-të të Kategorisë Superiore, të vështira apo normale?
-Si për kreun e renditjes, ashtu edhe në zonën e mbijetesës, janë krijuar dy grupe me nga tre skuadra që po e bëjnë më të bukur rivalitetin në dy ekstremet e tabelës. Partizani-Kukësi-Teuta në krye, si dhe Luftëtari-Kastrioti-Kamza, do jenë rivale të forta në synimet e tyre deri në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online