Transferimi i Raxha Naingolan nga Roma në drejtim të Interit, ishte një marrëveshje që ra jo pak në sy në Itali. Mesfushori ishte zëvendës kapiten dhe vinte pas Daniele De Rosit, i cili është një ikonë në kryeqytet. Naingolan njihej për dashurinë e tij dhe besnikërinë ndaj Romës dhe shumë herë ka deklaruar në media se ai u detyrua të largohej nga klubi verdhekuq, pasi dëshira e tij ishte të qëndronte.
Gjithsesi, mesfushori belg duket se është rikthyer të flasë përsëri për çështjen e Romës, teksa këtë herë vjen me akuza të forta dhe deklaron se te Roma nuk e kanë respektuar dhe e larguan si të padëshirueshëm.
Unë u zhgënjeva nga disa gjëra, që unë si burrë nuk mund ti pranoj kurrë. Kisha gabimet e mia, por faji nuk ishte i imi plotësisht për largimin. Ata bënin gjëra pas shpinës time dhe nuk vinin të përballeshin me mua si burrat. Roma po përpiqej të merrte sa më shumë nga transferimi im, madje hyri në kontakte me klube që unë nuk do t’i pranoja kurrë. Më trajtuan si një lojtar të parëndësishëm.
ROMA – “Në atë kohë Spaleti më thirri për të luajtur me Interin dhe nuk e mendova dy herë. Në fillim kisha pak një ndjenjë pendese, por mikpritja që më bënë këtu ishte diçka e bukur. Kam gjetur një klub mjaft të organizuar dhe presidenti Zheng është gjithmonë pranë nesh, ndryshe nga Roma që presidenti vinte një her në vit.”
JUVENTUS – “Ata janë një ekip i fortë dhe kanë fituar për shtatë vite rresht kampionatin, por sezoni është i gjatë dhe do të kemi ndeshje direkte për të luajtur. Ne duhet të vazhdojmë me rezultatet e mira dhe të përpiqemi të përfitojmë nga ndonjë ndalesë e tyre. Pse antipati ndaj Juves? Më kanë kërkuar për pesë vite rresht. Unë gjithmonë thoja jo, ata prapë shin aty, ndoshta kjo mund të jetë”.
RONALDO – “Kristiano i ka sjellë dhe shumë vëmendje tani Serisë A, që në vitet e fundit i kishte humbur shumë. Gjithashtu na motivon edhe më shumë për ta mundur. Midis tij dhe Mesit do të zgjidhja Leon. Ronaldo ka nevojë patjetër për ekipin, ndërkohë Mesi ndonjëherë mund të driblojë katër apo pesë lojtarë dhe ta fitojë ndeshjen i vetëm”.
CHAMPIONSI – “Është një kompeticion më i lehtë se sa Seria A dhe në këtë gjë këmbëngul shumë. Në grup luan gjashtë ndeshje dhe çdokush përpiqet të fitojë, ndërsa në Itali, ti vihesh përballë 10 burrave që shkojnë pas topit dhe mbrohen pothuajse gjithë kohën dhe të duhet një punë e madhe që të arrish fitoren”.
STILI I FLOKËVE – “Nuk do ta shihni më stilin mohikan. Është koha për të thënë stop. Jam 30 vjeç tani dhe nuk mund të vazhdoj të mbaj flokët në atë mënyrë. Tani do më shihni në stilin normal. Gjithsesi ndihem i nderuar që shoh fëmijë që mbajnë të njëjtin model nga unë”.
LOJTARI MË I MIRË QË KA LUAJTUR – “Duke mos përfshirë këtu Françesko Totin, mendoj se është Miralem Pjaniç. Në qoftë se Juventus nuk do të kishte Pjaniç, nuk do të ishte i njëjti Juventus. Ndërsa nga ana tjetër është dhe Maikon. Ndodhte shpesh që të shihja nga ai dhe t’i thoja vetes: “Si dreqin arriti ta bëjë këtë?”, përfundoi mesfushori i Inter.