Aleksandër Ceferin do të vazhdojë detyrën si presidenti i UEFA-s dhe sot në Romë është konfirmuar në mandatin e tij të dytë. Slloveni pasoi francezin Platini përpara dy vitesh e gjysmë, ndërsa njihet për faktin që futi teknologjinë VAR në Champions (teknologjia do të përdoret duke nisur nga duelet e fazës çerekfinale). Ai ishte kandidati i vetëm dhe do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2023.
Gjatë prononcimit të tij, Ceferin konfirmon faktin që nuk do të krijohet një Superligë europiane. (16 klube, 11 prej të cilëve me ftesë të garantuar për 20 vite). Ai shpjegon se pse është kundër, flet për Botërorin me 48 klube dhe e mbyll me futbollin e femrave.
SUPERLIGA – “Është larguar përfundimisht rreziku i krijimit të Superligës europiane. UEFA ka diskutuar me klubet në mënyrë direkte dhe të ndershme. Klubet ishin gati të shkëputeshin nga UEFA në vitin 2016, por tashmë jemi bashkuar përsëri. Kemi diskutuar, e kemi dëgjuar me njëri-tjetrin dhe jemi marrë vesh.”
“Sa të jem unë president i UEFA-s dhe Andrea Anjeli president i ECA (Shoqata europiane e klubeve), nuk do të krijohet asnjë Superligë. Nuk po e premtoj një gjë të tillë, ky është fakt. Klubet e mëdha do të humbitnin madhështinë e tyre, nëse do të krijohej Superliga. Atyre do u mbetej vetëm e kaluara. Në futboll duhet respektuar më shumë rezultati që ofron fusha, piramida e futbollit, ngjitje-zbritjet nga kategoria. Të gjitha këto kanë më shumë rëndësi se llogaritë financiare.”
BOTËRORI ME 48 EKIPE – “Kemi kundërshtuar FIFA-n për Nations League globale dhe Botërorin e klubeve me 48 ekipe. Ne e respektojmë FIFA-n, e dashurojmë futbollin dhe duam të mbrojmë atë. Shpresojmë që dhe FIFA të ketë respekt për ne dhe ta dëgjojë pikëpamjen tonë.”
FEMRAT – “Futbolli i femrave është i rëndësishëm dhe duhet zhvilluar, jo për modë. Shumë shpejt do t’i kushtojmë futbollit të femrave një pjesë të rëndësishme të buxhetit tonë, pasi është futbolli i së tashmes dhe jo i së ardhmes.”