Inter-Napoli përfundoi 1-0 për zikaltrit, me një gol në shtesë, por pas ndeshjes u fol më shumë për koret raciste në San Siro, një çështje që nuk po gjen zgjidhje, edhe pse është lajmëruar prej javësh se tani e tutje nuk do ketë më tolerim dhe ndeshjet do ndalen.
Nuk ndodhi diçka e tillë në San Siro dhe kartoni i kuq i Kulibalit erdhi pikërisht për protestat e mbrojtësit me ngjyrë të Napolit.
Lojtarët e Napolit iu vërsulën arbitrit Macoleni dhe ishte trajneri Karlo Ançeloti ai që ndërhyri me vendosmëri, duke ndalur lojtarët e tij, pasi rrezikohej kontakti fizik.
Megjithatë, pas ndeshjes trajneri i famshëm shpërtheu në akuza: “I kërkuam tre herë Prokurorisë Federale që të ndalte ndeshjen dhe tre herë thjesht paralajmëruan në foninë e stadiumit. Kulibali zakonisht është i qetë, por këtë radhë ishte nervoz, nuk ishte aspak i qetë. Dëgjuam ulërimë gjatë gjithë ndeshjes, por ndeshje vazhdoi qetësisht”.
“Zgjidhja? Ekziston, mendoj se ndeshja mund të ndalet, duhet vendosur kur, në rastin e parë, apo në paralajmërimin e dytë. Ndaleni ju, ose ndalemi ne, kështu do veprojmë në ndeshjen e ardhshme! Do na dënojnë me humbje në tavolinë? Durim. Tani mund të duket si justifikim, por nuk është kështu“, deklaroi i tensionuar ish-trajneri i Milanit.