Ançeloti: E dimë si do luajë Arsenali, kundër tyre fitohet me… guxim

Napoli do luajë nesër në Londër përballë Arsenalit. Sfidë e fortë dhe tepër e vështirë për djemtë e Ançelotit, por ata do të tentojnë të sigurojnë një rezultat pozitiv për të hedhur një hap drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Europës.

Trajneri italian kërkon ekuilibër nga ekipi i tij, si në fazën mbrojtëse dhe në atë sulmuese. Ançeloti kërkon kurajë e guxim si dhe vlerëson kundërshtarin e trajnerin e tyre.

Një koment edhe për kampionatin. Napoli po bën mirë, por Juventusi po “fluturon”. Ançeloti tregon objektivin e ekipit të tij dhe komplimenton bardhezinjtë për ecurinë fantastike.

DUELI – “Duhet të jemi të qartë për lojën që do të zhvillojmë nesër. Duhet të dimë se çfarë bëjmë kur mbrohemi dhe duhet të jemi të qartë se çfarë kërkojmë kur sulmojmë. Duhet të tregohemi më të aftë në mbrojtje, por kjo nuk do të thotë që vetëm do të mbrojmë. Nuk është një ndeshje deçizive, gjithçka do të zgjidhet në fushën tonë. Duhet të tregohemi guximtarë dhe kurajozë kundër Arsenalit, në mënyrë që të sigurojmë njëfarë avantazhi për ndeshjen e kthimit.”

ARSENALI – “Kam respekt për Unain dhe Arsenalin. Është nder për ne që të luajmë në çerekfinale kundër ‘topçinjve’. Mund të përballemi me dy sulmues dhe një ‘playmaker’ ose dy ‘playmaker’ dhe një sulmues. Nuk është ndonjë ndryshim i madh për ne dhe jemi përgatitur për të dyja rastet. Verdi është i vetmi lojtar në dyshim, ndërsa Albiol dhe Diavara janë në gjendje të mirë.”

KAMPIONATI – “Jemi të kënaqur me atë që po bëjmë dhe kemi bërë. Juventusi është 20 pikë para, por objektivi ynë ka qenë të grumbullojmë 80-90 pikë. Besoj se do ia dalim. Nëse ata arrijnë të mbledhin 100 pikë, nuk na mbetet veçse t’i komplimentojmë. Nuk mund të gjykohet sezoni ynë duke u krahasuar me Juventusin.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *