Skënderbeu arriti të shënojë dy herë në portën e Partizanin dhe mori fitoren e kryesimin e kampionatit pas javës së dhjetë. Rudi Vata, ish-kapiteni i kombëtares, i ka bërë një analizë takimit të djeshëm në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH.
“Qëllimi im ishte të shihja Partizanin, pasi ka qenë si risi. Ka vite që nuk janë në krye të tabelës së klasifikimit dhe kisha shumë dëshirë të shihja një ndeshje direkte. Sërish dola në përfundimin se Skënderbeu sërish ka lojtarë, ndoshta mbi moshë, si Radas e Vangjeli, por janë lojtarë që kanë eksperiencën e mjaftueshme në kampionatin shqiptar. Kanë fituar mjaft trofe dhe dinë shumë mirë të ruajnë qetësinë në skuadër”, u shpreh Vata fillimisht.
Më tej ai theksoi se sulmi i Partizani nuk e mban dot peshën për ta nxjerrë klubin e kuq kampion. “Partizani ka disa lojtarë të rinj, kryesisht në fazën sulmuese. Pashë tre lojtarë me tipare pak a shumë të njëjta, si Mala, Asani dhe Bardhi. Janë të shpejtë, me teknikë të mirë, por jonë aspektin e atij lojtarit me potencë, që ka agresivitetin e duhur për të krijuar rrezikshmërinë që ka nevojë skuadra. M’u dukën të lëvizshëm, por jo me peshën dhe autoritet e duhur për të nxjerrë Partizanin kampion. Ata kanë mangësi në aspektin sulmues, u duhet një lojtar i fuqishëm, një lojtar me prezencë dhe që e dërgon topin në rrjetë”.
ARMA EKSPERIENCË –“Në aspektin taktik: përveç Kalarit, të cilin e pashë ndoshta jo të freskët dhe jo në formën më të mirë, pjesa tjetër ishte ‘OK’. Ndoshta edhe periudha e gjatë që ka qëndruar pa u aktivizuar ka ndikuar në gjendjen e tij fizike. E pashë që, përveç Kalarit, tre mbrojtësit e tjerë m’u dukën mirë. Këtë ndeshje e fitoi eksperienca, e fitoi një gol i Muzakës, që për mendimin tim ishte një rreshtim i gabuar i Kalarit. Sigurisht portieri, një portier i mirë, me eksperiencë dhe një kapiten i zoti, duhet të bëjë ndërhyrjen e duhur. Sepse ishte një gol që normalisht, po të ishte i pozicionuar mirë portieri, ishte i evitueshëm. Ky gol pastaj vendosi edhe fatet e ndeshjes, sepse skuadra më pas nuk kishte atë kapacitetin për të reaguar, nuk kishte atë forcën dhe agresivitetin e mjaftueshëm.
Mendoj se meritat i ka Skënderbeu, që diti ta marrë atë fitore të rëndësishme. Mendoj se ata do të ishin të kënaqur edhe me një barazim, pasi po ta kesh kundërshtar direkt dhe t’i marrësh katër pikë në dy ndeshjet e para, sigurisht që është gjë e mirë. Gjithsesi mendoj se Partizani ka kohë për të rikuperuar, ta analizojë mirë këtë ndeshje, sepse këto ndeshje janë ato ndeshje që të japin pikë shumë të rëndësishme. Gjashtë pikë minus me një kundërshtar direkt janë ato që vendosin edhe fatet e kampionatit”, përfundoi Vata.