Në fundjavën e shkuar rinisi kampionati i Kategorisë së Parë me ndeshjet e javës së 15-të. U zhvilluan 9 prej tyre, ndërsa Iliria-Burreli do të luhet ditën e mërkurë, dhe në këto ndeshje u shënuan 20 gola, nga 10 të tillë për secilin grup. Në analizën që i bën kësaj jave Ndriçim Kashami, ish-trajneri i Apolonisë dhe Besëlidhjes, për SportEkspres.com ai e sheh të hapur luftën në tre ndeshjet e fazës së dytë. Sipas tij, do të ketë shumë balotazhe në renditje.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Si rinisi Kampionati i Kategorisë së Parë me javën e 15-të?
-Mendoj se në tërësi të gjitha ndeshjet u luajtën në normalitetin e tyre, por duke e përjashtuar rezultatin e ndeshjes Egnatia-Orikumi 0-1, i cili nuk ishte menduar i tillë. Ndërkohë që edhe ndeshja Erzeni-Vllaznia 2-0 nuk pritej me këtë rezultat, ishte tipike një sfidë për Superioren.
Duke i parë rezultatet e kryesueseve në të dy grupet, si e shikoni rivalitetin në vazhdimësi?
-Në të dy grupet do të ketë më shumë rivalitet në ndeshjet e tjera, sidomos në tre sfidat e fazës së dytë. Erzeni e bëri edhe më të bukur rivalitetin me Vllazninë në kreun e Grupit A, ndërkohë që Bylisi e Besa do ta mbajnë këtë ritëm rivalësh për kreun e Grupit B.
Humbja e Egnatias me Orikumin, e komplikon situatën për Lushnjen, Apoloninë e Tomorin për një vend në pesë skuadrat e para të Grupit B?
-Në fakt, rivaliteti mes këtyre tre skuadrave për një vend në pesë skuadrat e para të grupit, mendoj se do të jetë më konkret në ndeshjet direkte mes tyre. Madje që në javën e ardhshme ku Apolonia luan në Berat me Tomorin, ndërsa fitorja e Orikumit do ta rritë më shumë rivalitetin.
Në Grupin A fiton Vora dhe humbet Shënkolli, do të kemi edhe këtu rokada vendesh në fundin e renditjes?
-Në Grupin A, java e 15-të solli dy lëvizje në kahje të kundërta të renditjes. Me firoren ndaj Dinamos, Vora mendoj se do ta shfrytëzojë deri në fund matematikën për të shpresuar mbijetesën, dhe fitorja me Dinamon besoj do ta bëjë edhe më të fortë luftën me skuadrat e tjera.
Të mërkurën luhet ndeshja e fundit e javës së 15-të, Iliria-Burreli, si e parashikoni përfundimin e saj?
-Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, për vetë pozicionin që kanë dy skuadrat në fundin e renditjes në Grupin A. Iliria ka patur probleme gjatë muajit janar dhe nuk është stërvitur plotësisht, ndërsa Burreli është organizuar më mirë, ka bërë edhe përforcime me emra cilësorë.
Tre javë para mbylljes së fazës së dytë, si e mendoni konfigurimin e renditjeve tek të dy grupet?
-Do të jetë luftë sportive shumë e fortë, pasi skuadrat do të kërkojnë të marrin sa më shumë pikë në tre ndeshjet e fazës së dytë. Nuk mendoj se do të ketë ndryshime të dukshme në të dy grupet, ndoshta me lëvizje të vogla në mesin e renditjeve. Grupi B pritet me shumë balotazhe.