Alla drejt divorcit, pak gjasa të rikthehet

0

Jurgen Zela

Pas konfirmimit të trajnerit Ernest Gjoka në krye të pankinës, puna për ndërtimin e një skuadre që të konkurrojë denjësisht në kupat e Europës ka nisur. Edhe pse priten që kampionët të bëjnë afrime të bujshme, që të përligjin dhe nivelit të Champions League, ende nuk ka ardhur asnjë zyrtarizim. Fillimisht kampionët e kanë nisur projektin për sezonin e ardhshëm me largimet, ku Kushtrim Lushtaku është i vetmi futbollist që ka tërhequr dokumentacionin nga klubi i Kukësit, por në ditët në vijim pritet që të ketë dhe lojtarë të tjerë që do ta ndalin këtu rrugëtimin me verilindorët.

ALLA

Mund të jetë Albi Alla humbja më e madhe e kuksianëve, para ndeshjeve të Europës. Qendërmbrojtësi, i cili ia doli që në vitin e parë me kuksianët të kurorëzohej si kampion, ta mbyllë këtu bashkëpunimin me Kukësin. I kanë mjaftuar vetëm dy vite në Superiore, për të treguar vlerat e tij, diçka që u konkretizua dhe me ftesën që mori nga trajneri i kombëtares Xhani De Biazi, për ndeshjet e muajt mars. Pas një sezoni fantastik me blutë, rrugët mes tij dhe verilindorëve mund të ndahen këtu.

KONTRATA

Siç bëhet e ditur për “Sport Ekspres” nga burime pranë lojtarit dhe menaxherit të tij, 24-vjeçarit i ka përfunduar kontrata me Kukësin. Deri në këto momente ai nuk ka pasur asnjë kontakt me drejtuesit e klubit. Normalisht që verilindorët nuk dëshirojnë që të humbasin shërbimet e një prej lojtarëve titullar, sidomos para ndeshjeve të Champions League, por deri në këto momente Alla është lojtar i lirë, gjithnjë sipas burimeve pranë tij. Vetë lojtari e ka bërë të ditur më parë se në Shqipëri, Kukësi do të jetë e vetmja skuadër me të cilën do të luajë, megjithatë për të pasur një zyrtarizim duhet pritur në ditët në vijim, edhe pse zgjatja e një bashkëpunimi nuk është se shihet në horizont.

OFERTAT

Performanca e mirë me Kukësin, sigurisht që nuk ka kaluar pa rënë në sytë e menaxherëve të klubeve të ndryshme në Europë. Ofertat për Allën nuk mungojnë dhe qendërmbrojtësi po i merr në shqyrtim të gjitha, për të vendosur më pas se ku do të vijojë karrierën e tij. Një aventurë e re jashtë Shqipërisë, duket më e mundshme për mbrojtësin nga Pogradeci, pasi do të ishte një hap i rëndësishëm në aspektin personal, por njëkohësisht për Kukësin do të ishte një humbje e madhe, pasi do të krijonte një “gropë” në mbrojtje, që duhet mbyllur sa më parë, pasi ndeshjet në arenën ndërkombëtare janë shumë pranë. Megjithatë nuk mund të quhet e mbyllur gjithçka sepse palët mund të arrijnë një tjetër marrëveshje, por që në planin e parë duket jo e lehtë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.