Fidan Aliti sapo ka mbushur muajin në Korçë, por duket sikur ka një vit. Mbrojtësi i përfaqësues së Kosovës sot bëri mbrojtësin qendror dhe më pas atë të majtë, duke mos pasur fare luhatje në rendiment: “Për mua nuk ka rëndësi ku luaj, qendër apo në të majtë të mbrojtjes. Nuk kam një pozicion fiks ku ndihem më mirë, rëndësi ka të luaj dhe ndihem shumë mirë kudo që të luaj.”, deklaroi ai në Supersport.
Aliti është bindur edhe më shumë se ka zgjedhur ekipin më të mirë në Shqipëri: “Çdo ekip jep gjithçka kundër nesh, çdo ndeshje e shoh që të gjithë japin 120% kundër nesh, ndaj ndihem shumë mirë, sepse jam në një klub të rëndësishëm dhe shumë të vlerësuar”.
Miqtë më të afërt në ekip? “Jashanica më ka qëndruar pranë, jemi edhe në përfaqësuese bashkë, do të nisemi që tani për në Kosovë meqë ra fjala. Në fakt, e gjithë skuadra më ka ndihmuar shumë që të ambientohem. Po të mos ishte për mbështetjen e skuadrës, nuk do të ambientohesha kaq lehtë, ndaj i falënderoj të gjithë”.