Ali Soue: Për fat Latifi shënoi në Zagreb, përndryshe…

Sulmuesi kryesor i Skënderbeut mendon se skuadra e tij është në gjendje ta kalojë Dinamon e Zagrebit, pasi ka motivimin dhe kualitetin që duhet

Leonard Trebicka

Në Zagreb zhvilloi një ndeshje të mirë, edhe pse ishte e para me fanellën e Skënderbeut. Ali Soue, i ardhur në huazim nga Kievo, e kapi menjëherë lojën e korçarëve dhe konsiderohet shumë i rëndësishëm edhe për ndeshjen e kthimit. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, sulmuesi shtatlartë flet për mundësitë e kalimit në grupet e Europa League. Flet edhe për ambientimin e shpejtë me ekipin e ri, si dhe për nxehjen në rastin e golit të Latifit, i cili nuk i pasoi, teksa ai ishte krejtësisht i lirë.   

– Soue, keni debutuar zyrtarisht me Skënderbeun në ndeshjen ndaj Dinamos. Gjithçka siç e prisnit?

– Padyshim që jam i kënaqur, që kam hyrë menjëherë në ritmin e duhur me ekipin dhe që bëra debutimin në një ndeshje të rëndësishme. Ishte një ditë shumë e bukur për mua, mbi të gjitha në një kompeticion kaq të rëndësishëm është diçka e veçantë që ndodh. Jam shumë i kënaqur.

– Për sa i përket ndeshjes, çfarë do të shoshit për lojën e Skënderbeut dhe rezultatin?

– Ishte një ndeshje e madhe nga të gjithë shokët e mi. Kishim mundësi ta fitonim, pasi mund ta mbyllnim edhe më shpejt lojën me një tjetër gol të shënuar, por për fat të keq nuk ndodhi kështu. Pësuam atë gol në limit dhe na vjen vërtet keq, por barazimi është një rezultat me vlerë dhe mbi të gjitha me një gol të shënuar në transfertë. Tani do të luajmë sikur s’ka ndodhur asgjë në ndeshjen e kthimit. Do të mendojmë vetëm për 90-minutëshin e radhës.

– Do të jetë e vështirë?

– Sigurisht, në të tilla nivele nuk ka më ndeshje të lehta. Çdo ekip mendon se është i pakalueshëm për vete dhe e mendon të kalueshëm kundërshtarin. Ne do ta respektojmë Dinamon aq sa ky emër e meriton. Por mendoj se mund të bëjmë më shumë se një paraqitje të mirë në këtë takim.

– Je përshtatur shumë shpejt me ekipin. Cili është çelësi i suksesit?

– Kjo është një meritë jo vetëm e imja, por mbi të gjitha e klubit, trajnerit dhe shokëve të ekipit, që më kanë ndihmuar shumë. Plus kësaj, grupi është fantastik, ka lojtarë shumë të mirë dhe kjo e bën më të thjeshtë ambientimin, pasi secili di të bëjë mirë detyrën e vet dhe di të bashkëpunojë në grup. Kjo ma bëri të lehtë të hyja shumë shpejt në brendësi të ekipit.

– Si ndjehet Soue pas një muaji gati te Skënderbeu?

– Shumë mirë, jam i kënaqur dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndjehem mirë, pasi siç e thashë më sipër, edhe shokët e ekipit janë treguar shumë të mirë. Më kanë ndihmuar në gjërat që nuk i kuptoja, për shkak të gjuhës. Të gjithë duan të më ndihmojnë për të më bërë shpejt pjesë të skuadrës.

– Në Zagreb keni shënuar, por për fat të keq pozicioni ishte i parregullt…

– Po dhe është shumë pozitive për një sulmues. Kam shënuar, pavarësisht se në pozicion të parregullt. Eshtë e rëndësishme dhe shpresoj të shënoj çdo herë, që do të jem në fushë. Për mua është një gol, sido që të jetë, nuk është pozicion jashtë loje, unë nuk e quaj kështu, e quaj gol dhe kjo më motivon më shumë

– Kur Latifi shënoi dhe nuk ju pasoi, u nxehët, apo jo?

– Sigurisht. Të flas sinqerisht, isha i nxehur pak, pasi gjithmonë është e rëndësishme që goli të bëhet lehtë dhe s’ka rëndësi së kush e bën. Por, nëse nuk shkonte në rrjetë ai top, do të isha nxehur më shumë. Ishte një gol i rëndësishëm edhe për ekipin dhe normalisht nuk do të më pëlqente të mos bëhej. Megjithatë, Latifi u tregua i shkëlqyer.

– Çfarë mendoni për ndeshjen e kthimit?

– Them se duhet vetëm të përgatitemi mirë, siç bëmë në takimin e parë, të japim maksimumin në fushë dhe më pas të shohim.

– Sa shanse ka ekipi të shkojë në grupe?

– Jam një tip pozitiv dhe gjithmonë e shoh gotën gjysmë plot. Jemi një ekip i mirë, në rast se jemi të përqendruar mund t’ia dalim. Për mua mundësitë i kemi 100% të shkojmë në grupe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online