Laluci: Flamurtari i ri, shumë ambicioz

0

Drejtuesi i klubit kuqezi, pasi ka ndjekur nga afër përgatitjet në Greqi, është i bindur se sezoni i ri do të jetë shumë më ndryshe për vlonjatët

Elton Nika

Flamurtari vijon me ritëm të lartë përgatitjet në Veria të Greqisë, ku nesër do të luajë edhe miqësoren e dytë. Janë ditë të ngarkuara në stërvitje, por që po përballohen me sukses nga ana e futbollistëve të ekipit vlonjat.

LALUCI – Drejtori sportiv i Flamurtarit, Vangjel Laluci, i cili ka qenë pranë kuqezinjve për disa ditë tregon se përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Ai vlerëson paraqitjen ne Flamurtarit në miqësoren ndaj Aleksandrias dhe shprehjet se loja e ekipit po vjen në rritje të vazhdueshme. “Kam parë nga afër përgatitjet e Flamurtarit për tri ditë me radhë. Kam ndjekur edhe takimin e fundit miqësor dhe duhet të them se skuadra është duke punuar me ritëm të lartë. Në testin e fundit, pavarësisht lojës së rëndë të skuadrës  kundërshtare, Flamurtari ka imponuar lojën e tij, ka arritur të realizojë një gol dhe të krijojë shumë raste të tjera për shënim. Gjithçka në atë ndeshje ka qenë nën diktatin e Flamurtarit. U duk qartë se skuadra është duke u kolauduar plotësisht dhe kushtet në Veria po e ndihmojnë shumë në këtë drejtim. Akomodimi, fushat e stërvitjes dhe kushtet atmosferike janë shumë të përshtatshme për të marrë më të mirën nga kjo fazë, që dihet se ka një rëndësi të madha para një sezoni. Flamurtari po merr formë, po krijon hap pas hapi profilin e tij, që do të tregojë në kampionat. Mund ta them me plot bindje se është duke u zhvilluar një punë shumë e mirë nga stafi teknik, por edhe nga vetë futbollistët, të cilët janë duke u përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme. Me mbërritjen edhe të dy afrikanëve Kamara dhe Sidibe, skuadra është e plotë dhe nuk ka mungesa. Ajo që është e rëndësishme lidhet me faktin se nuk ka pasur dëmtime, edhe pse ngarkesa ka qenë e madhe. Fakti që nuk ka dëmtime tregon për punën profesionale të stafit teknik. Kam shumë besim se Flamurtari do të jetë gati për një kampionat sa më të suksesshëm, sepse po i bëhet shërbimi punës siç duhet. Pas periudhës përgatitore në Mavrovë, po hidhen hapa të tjerë përpara në Greqi. Pas dy takime të tjera miqësore që do të luhen në Greqi, Flamurtari do të jetë plotësisht i kolauduar”, – ka theksuar drejtuesi i klubit të kuq, Laluci.

OBJEKTIVAT – “Jam i bindur se këtë sezon do të jetë një Flamurtar mjaft ambicioz, por më mirë të mos flasim për objektiva konkretë dhe t’ia lëmë gjithçka ta tregojë fusha. Ndeshje pas ndeshjeje do të shihet se çfarë është në gjendje të bëjë ky ekip, por nuk mund ta fsheh faktin se gjërat janë bërë shumë mirë dhe ky Flamurtar do të jetë një “kockë e fortë” për të gjithë. Duam të realizojmë objektiva të rëndësishëm, sepse kemi vërtet një Flamurtar me kualitet të lartë”, – ka përfunduar drejtori sportiv i Flamurtarit, Vangjel Laluci.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.