Albi Doka: Unë tifozi i fanellës, ëndrra ime është një ditë si Hysaj!

Gergji Stefa

Tetë vite më parë Albi Doka ishte 12 vjeç. Fëmijëria e tij futbollistike nuk ka qenë e thjeshtë. I rritur në një lagje të kuqe (Shkolla e Bashkuar) me një shall bardheblu në qafë nuk e pengonte t’i shihte të gjithë në sy nëpër rrugica ku pasi luante futboll e mbante kokën lart: unë jam tifoz i Tironës. Në majin e 2009-ës ai iu drejtua stadiumit “Qemal Stafa” me një ëndërr: ekipi i tij i zemrës të shpallej kampion. “Isha fare fëmijë dhe atë ditë kam qarë nga lumturia. Qëndroja mes tifozëve “Fanatics”. Për mua ishte një ëndërr. Kisha një arsye më shumë për t’u rikthyer në lagje”. Tirana atë ditë mundi 2-1 Vllazninë, duke ngritur lart për të 24-ën herë trofeun e madh. “Jeta është e cxuditshme. Gjashtë ditë më parë shkova në “Loro Boriçi” për të luajtur ndeshjen e mbijetesës. Këtë radhë qava nga hidhërimi. Asnjë problem. Jeta vazhdon. Ne një ditë do të dalim sërish kampionë”.

Më shumë se një vit më parë, Shpëtim Duro ish-trajneri i Partizanit në pushim të pjesës së parë në finalen e të rinjve mes të kuqve dhe Tiranës kap nga krahu drejtorin sportiv bardheblu, Devi Muka: “Si ka mundësi që ky djalë nuk luan me ekipin e parë. Ky është një fenomen”. Shpejtësi, forcë, grintë dhe mbi të gjitha shumë personalitet. Një kapiten i lindur! Tirana pas disa muajsh i ofroi një vend titullari në skuadrën e parë. “Hera e parë që shkela te Tirana ishte 12 vjeç”, – thotë Doka. – “Ishte një gjë normale. Familja ime është e tëra bardheblu dhe unë nuk mund të isha ndryshe. Ishte si një ëndërr. Trajneri im i parë ka qenë Fatjon Fagu”. Që nga ajo ditë jeta e tij ndryshoi. “Unë dhe futbolli jemi një gjë e lindur. Shkolla nuk bën për mua. Jam shumë i lidhur me familjen, kam marrë patentën dhe kam një BMV”. Çfarë do më shumë nga jeta një adoleshent? Doka në 26 qershor do mbushë 20 vjeç, dhe pas lotëve të finales me Vllazninë fshihet një forcë e jashtëzakonshme karakteri para finales me Skënderbeun. “Në dhomat e zhveshjes u thashë të gjithëve. Dalim dhe i mundim këta. Kjo Kupë është e jona. Nuk mund ta falnim”. Flet gati, gati si një lider. “Tirana është për mua gjithçka. Më duket sikur kam lindur për të luajtur futboll e për të luajtur me këtë fanellë”. Në futboll kohërat kanë ndryshuar. Me aq shumë talent dhe karakter me siguri shumë shpejt do largohet nga Shqipëria. “Atë ditë që pashë lamtumirën e Totit u ndjeva keq. Të jetë për mua, nuk iki kurrë nga ky ekip dhe bëhem një Toti. Por si i thonë fjalës, ëndrrat janë falas dhe unë një ditë dua të luaj në serinë A me Interin”. Lojtari i tij i preferuar ka qenë Maikon, ndërsa te shqiptarët ka idhull Hysajn. “Një ditë do shkoj në kombëtaren e madhe. Dua ta zëvendësoj. Dua të bëhem si ai”. Çfarë guximi.

Në derbin e tretë të sezonit, Mentor Mazrekaj u fut në dhomat e zhveshjes dhe flaku fanellën. Starova e kish zëvendësuar. Fajtor ishte Doka. Mazrekaj e përgëzoi. Për 45 minuta ia kish dalë ta nxirrte jashtë loje. Mazrekaj nuk është i vetëm. Vangjeli është ankuar se Doka është një “rrodhe”, ndërsa Latifi morri karton të verdhë nga nervozizmi me duelin me të. Ai luan në të djathtë, kudo në krah. Mund të bëjë mbrojtësin, mesfushorin dhe sulmuesin. “Unë luaj futboll, nuk ka rëndësi fare pozicioni. Luaj ku të dojë trajneri, jap gjithçka dhe nuk dorëzohem”. Futbolli është më i thjeshtë se çfarë e mendojnë disa.

Jeta është një “portokall” i madh. Vitin që Doka filloi futbollin Tirana doli kampion, e Partizani ra nga kategoria. Këtë sezon Partizani ishte shumë pranë titullin, ndërsa Tirana e sheh veten një kategori më poshtë. Në derbin e fundit shkaktoi një 11-metërsh. “Betohem për shallin bardheblu që nuk kam bërë asnjë faull. Batha e vodhi atë penallti. Megjithatë nuk ka asnjë problem. Në futboll ndodhin. Bravo u qoftë atyre që fituan. Një ditë do t’i mundim sërish”. Ndonjë lot më shumë nuk e bën qaraman. “Në Shkodër kam bërë një ndeshje të madhe. Të gjithë dhamë maksimumin. Qava sepse nuk e imagjinoja dot, që me mua në fushë skuadra do binte. Megjithatë tani ka kaluar. Nuk do rrimë më të qajmë, fituam kupën dhe do shohim përpara. Jemi krenar për fanellën që mbajmë veshur dhe duhet ta respektojmë e të japim gjithçka. Nuk mund ta hedhim poshtë ne gjithë atë histori”. Të duket sikur ka 97 vite që jeton në këtë komunitet.

Doka është një shembull i mirë. Sigurisht që si ky mund të gjesh me kokrra, por sikur në këtë klub dhe jo vetëm të punohet edhe më shumë me ekipet zinxhir, çdo vit mund të sjellësh në sallën e madhe të futbollit, të rinj të fortë, me karakter, të talentuar, besnik të fushës dhe fanellës. Përtej romantikes, ky djalë sot është një thesar për klubin. Kushedi sa vlen në treg dhe një ditë me siguri Tirana do ta shesë duke fituar qindra mijëra euro. Në futbollin që shpesh quhet i mercenarëve, Albi është drita në fund të tunelit. Thonë që tani vlen 350 mijë euro. Dhe atij nuk i vlen vetëm këmba. I vlen dhe koka e mbi të gjitha zemra. Dokat e Tiranës nuk janë të paktë. Ky klub mund të rindërtojë një strategji me posterin e tij. Të rinj që duan futbollin dhe fanellën. Ku mi gjen sot? “Me rrogën e parë i bëra një dhuratë babit tim. Nëse jam ky që jam sot, jam prej tij”. Tani mund të qani sa të doni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online