PSG po bën të pamundurën për të siguruar shërbimet e Alan, por marrëveshja me Napolin është ende larg. Klubi italian nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e brazilianit, por është gati të dorëzohet përpara… 100 milionë eurove!
Presidenti De Laurentis ka udhëtuar ditën e sotme drejt Parisit me bashkëshorten e tij për të shijuar pak relaks, por nuk përjashtohen bisedimet me drejtuesit e PSG për të arritur një akord për lojtarin.
PSG i ofron 28-vjeçarit 6 milionë euro në sezon (trefishin e asaj që përfiton te Napoli), ndërsa dy drejtorët sportivë, Xhuntoli dhe Henrike (kanë një miqësi të fortë) vazhdojnë negociatat. PSG ofron deri në 60 milionë euro për mesfushorin, por për Napolin nuk mjaftojnë. Francezët kanë frikë nga FPF (fair-play financiar).
Nëse akordi arrihet, Napoli e ka gati zëvendësuesin. Ai është Nikolo Barela i Kaljarit dhe mesfushori i talentuar mund të bashkohet me ekipin e Ançelotit në verë.